Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi sot se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në Akademinë e Shkencave.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kushi tha se “në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam një vendim, i cili ka pasur ditët e fundit shumë debate, diskutime, madje edhe dezinformime, edhe spekulime, për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. ASA nuk plotëson kriteret për të qenë Institucion i Arsimit të Lartë. Synimi është ta ngremë albanologjinë shqiptare në një nivel të ri për sa i takon vlerave dhe identitetit tonë kombëtar”.
“Në fakt ASA është krijuar në 2007 me vendim të Këshillit të Ministrave. Ka qenë pikërisht shkëputja e instituteve që deri në atë kohë kanë qenë pranë Akademisë së Shkencave, duke u grumbulluar bashkë e duke krijuar Qendrën e Studimeve Albanologjike, që më pas, me miratimin e ligjit në vitin 2015 kërkoi kjo qendër, senati që të kthehej në një lloj të institucioni të lartë të llojit akademi”, tha Kushi.
Kushi u shpreh se “Ministria e Arsimit e miratoi dhe kërkoi në mënyrë të vazhdueshme që ky institucion i arsimit të lartë të riorganizohej për t’u përputhur me kriteret ligjore të Ligjit për Arsimin e Lartë. Por ASA edhe pse mori këtë emër u miratua edhe u mbështet në mënyrë të vazhdueshme nuk arriti që të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit”.
“Në janar të 2023 MAS filloi një kontroll ligjshmërie, sepse e ka detyrim ligjor në Institucionet e Arsimit të Lartë, përfshirë edhe ASA. Aty u konstatuan një sërë problematikash, shkelje të rënda ligjore, si të llojit të strukturës apo organizimit, por edhe nga ana e funksionimit administrativ dhe financiar”, tha Kushi.
Ministrja Kushi theksoi se “ASA sot që flasim dhe asnjëherë nuk ka pasur një fakultet, që është detyrimi i parë ligjor që të ketë një fakultet dhe në asnjë prej mjediseve të saj nuk ka mësimdhënie, që e bën të pamundur të vazhdojë të funksionojë si Institucion i Arsimit të Lartë. ASA është e paakredituar si nga ana institucionale dhe e programeve të studimit”.
“Nëse nuk ka regjistrime për dy vite, institucioni duhet të aplikojë në MAS për të mbyllur programin, as këtë nuk e ka bërë. Ka një sërë argumentesh që e bëjnë të pamundur ekzistencën e ASA-s si një institucion të Arsimit të Lartë”, tha Kushi.
Më tej, Kushi tha se “ne kemi një vendim të grupit të punës nga MAS që ka muaj të tërë që po punon që ia ka vënë në dispozicion edhe Akademisë ku shkeljet dhe parregullsitë janë të mëdha dhe të shumta në numër. Kështu që ne sot me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërës të saj si njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave. Vendimi i Këshillit të Ministrave garanton transferimin e të gjitha të drejtave, pasurive të luajtshme, të paluajtshme, personelin dhe të gjitha transferohen tek Akademia e Shkencave”, tha Kushi.
Vendimi u mirëprit nga Akademia e Shkencave që tha se kjo do të focojë statusin e punonjësve shkencorë për zhvillimin në nivel të ri të shkencave albanalogjike. Nga ana tjetër, senati i ASA-s e cilësoi si një vendim plotësisht politik që godet shkencën e albanalogjisë në Shqipëri.
DItën e sotme 12 antropologë të Universitetit të Prishtinës dërguan një ‘notë proteste’ për projektvendimin e qeverisë me argumentin se transferimi i këtyre instituteve do të rezultonte në një dëm të madh për të gjithë studiuesit shqiptarë të në fushën e kërkimit shkencor dhe se shkelen një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare të firmosura me institucionet e vendeve të huaja. Ndërsa më herët janë mbajtur edhe protesta ndaj këtij projektvendimi që do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në fletoren zyrtare.
Sipas projektvendimit, të gjitha asetet dhe studiuesit e ASA-s do t’i transferohen Akademisë së Shkencave brenda muajit dhjetor. Nga ana tjetër, senati i Akademisë së Studimeve Albanalogjike ka konesntuar këtë vendim duke bërë të qartë se do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për mos ta lejuar.
Sipas tyre Neni 29 i Ligjit 80 Për Arsimin, që ju jep kompetencat për ta propozuar mbylljen e ASA-s apo së paku për të qenë të lajmëruar një muaj më parë nga Ministria e Arsimit nuk është zbatuar. Ndonëse lëvizjet e fundit të saj, kanë qenë paralajmëruese, përmes një auditi bërë rishtazi në Akademinë Albanologjike.
Deklarata e Akademisë së Studimeve Albanalogjike:
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur urgjentisht pas deklaratës publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për miratimin e projektvendimit për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, shpall:
Është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave;
Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri;
Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.
Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.
ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës.
/Argumentum.al