Presidentja e Hungarisë Katalin Novak zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ndërsa u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj.
Gjatë konferencës së përbashkët për mediet, pas takimit dypalësh, Begaj shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë hungareze për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.
“Hungaria e ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në mënyrë të veçantë e falënderova miken hungareze për mbështetjen në kuadër të Konferencës së Parë Ndërqeveritare në korrik të vitit të shkuar dhe shpreha besimin se brenda këtij viti, falë edhe mbështetjes hungareze do të bëhet e mundur mbajtja e takimit të dytë”, theksoi Begaj.
Presidenti u ndal dhe tek rëndësia e stabilitetit rajonal dhe faktorët destabilizues që e kërcënojnë Ballkanin Perëndimor.
“Nënvizova rëndësinë gjeopolitike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kushtet e reja gjeopolitike, ku aktorë keqdashës, kërkojnë destabilizimin e tij, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek rëndësia që ka mbështetja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe atë në Këshillin e Evropës”, tha Begaj.
Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, e cil ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të Presidentit Begaj e vuri theksin tek rëndësia që Ballkani Perëndimor mbart për sigurinë e Europës.
“Jam e lumtur që jemi në Tiranë, është i rëndësishëm ky takim për mua në Shqipëri. Gjatë këtij viti jam përpjekur të jem aktive në mënyrë diplomatike. Ballkani është shumë i rëndësishëm, sepse është peng i sigurisë së Europës. Paqja në Ballkan është e rëndësishme për sigurinë e BE. Do t’ju mbështesim në integrimin në Bashkimin Europian. Në bisedën tonë vumë theksin tek 5 pika kryesore. Diskutuam mbi integrimin euro-atlantik, luftën në Ukrainë, bashkëpunimin ekonomik, emigrimin ilegal dhe demografinë”,- tha Novak gjatë deklaratës së përbashkët për mediet me Presidentin Begaj.
Sipas saj, diplomacia dhe dialogu duhet të udhëheqin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. “Duhet të përpiqemi që përmes dialogut të mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Kemi mbi 400 trupa në Kosovë në KFOR. Shpresojmë që situata të qetësohet sa më shpejt dhe të gjendet rruga drejt një paqeje afatgjatë”, u shpreh Novak.
/Argumentum.al