Bashkimi Evropian ka kërkuar të shtunën që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.
Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.
Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna ka mundur të evitohet, dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, është thënë në deklaratë.
“Ne ftojmë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë që, menjëherë dhe pa kushte, të ndërmarrin masa për qetësuar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga secili veprim tjetër i pakoordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas thirrjes së Bashkimit Evropian drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në veri.
Rama ka thënë se vendosja e policisë së Kosovës për të mbrojtur ndërtesat boshe të komunave në veri dhe në anën tjetër vendosja e trupave të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, janë veprime vetëshkatërruese dhe aspak evropiane.
Rama ka shpërndarë në ‘Twitter’ deklaratën e Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili u bëri thirrje palëve që sa më parë ta shtensionojnë situatën, teksa ka shkruar: “BE-ja nuk mund të ishte më e qartë! Vazhdimi i kësaj situate absurde duke vendosur policinë që të mbrojë ndërtesat bosh në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetëshkatërruese dhe më pak evropiane”.
Ai tutje ka thënë se shpreson shumë se “Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë kthim në vete si shtete evropiane përgjegjëse”.
Më herët gjatë ditës, Bashkimi Evropian nëpërmjet një komunikate u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
/Argumentum.al