I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por se nuk mbështet një individ “që nuk ka instinkt bashkëpunimi”.
Escobar tha se të premten ai dhe zoti Lajçak duhet t’u raportojnë udhëheqësve të tyre nëse ishin të suksesshëm apo jo, ndërsa paralajmëroi pasoja në rast dështimi.
“Për Kosovën, do të dërgojë një sinjal të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne dhe mendoj se kjo do të ishte për keqardhje. Meqë ra fjala, jo Kosova por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk e shohim këtë si një ndikim afatgjatë në marrëdhënien tonë por veprimet e ndërmarra ose jo mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë një pjesë të marrëdhënies”, tha Escobar.
Ai e cilësoi ‘hutues’ qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundër këshillave amerikane për të mos dërguar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave në veri që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe. Ai tha se ka sfida në marrëdhëniet dypalëshe që kanë të bëjnë me kryeministrin Albin Kurti dhe i quajti të dhimbshme mendimet se Shtetet e Bashkuara po i drejtojnë marrëdhëniet dhe angazhimin tonë për Kosovën në dobi të Serbisë.
“Ne nuk i kemi të njëjtat marrëdhënie me Serbinë si me Kosovën. Serbia nuk është kandidate për anëtarësim në NATO, ajo po kalon një kohë sfiduese në integrimin e vet evropian dhe ne prisnim që Kosova të jetë shumë më larg. Shuma e parave që ne i përdorim për të mbështetur institucionet tuaja, duke përfshirë sigurinë tuaj përmes KFOR-it, nënkupton që kemi një marrëdhënie tjetër. Kjo nuk do thotë që nuk e mbajmë Serbinë përgjegjëse për disa gjëra që po ndodhin dhe ua kemi bërë shumë të qartë se sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme”, tha Escobar.
Tridhjetë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s u plagosën të hënën ë kaluar në përplasje me grupet e protestuesve serbë që kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave. Prishtina akuzoi grupet e mbështetura dhe financuara nga Serbia dhe me lidhje me Rusinë për nxitje të dhunës.
Zoti Escobar tha se Rusia e shfrytëzon këtë situatë dhe përfiton prej saj, por Rusia nuk po e drejton këtë.
“Ky është dështim i udhëheqjes politike të të dyja palëve për të përparuar në ripajtimin ndëretnik. Pikë. Ne e kemi tërë vullnetin e mirë për t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën në një pozitë më të mirë, në marrëdhënie jo domosdoshmërisht miqësore, por paqësore, të normalizuara dhe që i afrojnë me Bashkimin Evropian”, tha Escobar, shkruan VOA.
Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Nga Kosova pritet themelimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe, tha ai duke nënvizuar se ai do të ndodhë por çështja është me kënd dhe sa gjatë duhet pritur.
“Ne e dimë se si duhet të duket Asociacioni dhe e dimë si nuk duhet të jetë. Kemi nevojë të fillojmë tani. Mund ta kemi statutin në një ditë nëse duam. Nuk e kuptoj vonesën. Për mua, Kosova duhet ta përcaktojë veten jo nga Serbia, por nga vlerat e saj, nga marrëdhëniet e saj jo me 6 milionë banorë por 700 milionë banorë të komunitetit euro-atlantik. Dhe ende sa herë flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, e tëra për çfarë duan të flasin është Serbia”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara duan të flasin për integrime më të mëdha të Kosovës, tha Escobar.
“Pra, me Asociacionin në kushte evropiane për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, unë e kam platformën me të cilën mund të shkojë te vendet tjera evropiane dhe të them ‘ata e kanë bërë çdo gjë që u është kërkuar” dhe duhet të ecim përpara për më shumë përfitime për Kosovën. Nuk mund ta bëjë këtë nëse Kosova nuk e përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes”, tha ai.