I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti partner të SHBA-së, edhe pse ka thënë se ai nganjëherë është ‘partner i vështirë”.
Këtë koment Escobar e ka bërë në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore me seli në Beograd të Serbisë, ku mes tjerash ka pohuar po ashtu se Kosova mbetet një partner i rëndësishëm i SHBA-së.
“Zoti [Albin Kurti] është partneri ynë. Nganjëherë është partner i vështirë, por ai është partner. Kosova është partner. Pra, derisa ecim përpara ne duam të përdorim marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një rrugë, për të gjetur një rrugë të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja [vendet] të jenë pjesë e Bashkimit Evropia”, deklaroi Escobar.
Escobar i bëri këto komente kur u pyet të komentonte deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili këtë javë tha për Zërin e Amerikës se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Hill e bëri këtë koment në pyetjen nëse kryeministri Kurti, është i gatshëm të pranojë tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe rikthim në dialog.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha Hill më 8 qershor.