Pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), edhe Aleanca për Shqiptarët do të vendosë për dalje nga Qeveria, për të realizuar, siç thanë nga kjo parti, kushtin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, që të mbështesë miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe formimin e një Qeverie të zgjeruar pa BDI-në.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të mërkurën, më 7 qershor, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, tha se partia e tij do ta mbështesë ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nëse këto ndryshime hyjnë në fuqi pasi të ketë përfunduar procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Procesin e ndryshimit të Kushtetutës ai e ka kushtëzuar edhe me një Qeveri të re që do të përgatiste zgjedhjet e reja, por pa BDI-në, e cila së bashku me Aleancën për Shqiptarët dhe LSDM-në përbëjnë Qeverinë aktuale.
Edhe pse VMRO DPMNE-ja nuk e ka përmendur Aleancën për Shqiptarët, kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, tha të hënën në Gostivar se ka informacione se VMRO-së i pengon që në qeveri të zgjeruar të jetë edhe partia që ai drejton.
“Sa i përket kushtit të VMRO DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga Qeveria dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit evropian dhe perspektiva e qytetarëve dhe jo llogaritë elektorale. Aleanca për Shqiptarët hyri në Qeveri për hir të procesit, por do të adaptohen varësisht rrethanave të reja, qoftë në Qeveri apo jashtë saj”, deklaroi Taravari.
Paraprakisht, BDI-ja në organet partiake ka konfirmuar vendimin e saj për të mos marrë pjesë në Qeveri nëse ky do të ishte kushti i VMRO-së për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.
“Bashkimi Demokratik për Integrim është i gatshëm që të vendosë BE-në para çdo interesi tjetër partiak, politik apo të Qeverisë. Prandaj, jemi të gatshëm të mbështesin Qeverinë, në të cilën nuk do të ishte BDI-ja nëse kjo do të mundësonte që para formimit të saj, të arrijnë ndryshimet kushtetuese në fuqi”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se tani i takon VMRO DPMNE-së që mbështesë ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e bisedimeve me BE-në për anëtarësim në union.
“Ne, si parti shtetformuese, që gjithmonë kemi marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit, i japim shansin VMRO DPMNE-së që për herë të parë të marrë pjesë në vendimet për realizimin e qëllimeve strategjike për vendin”, tha Kovaçevski.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan MIckovski, tha se “do të mbështesë ndryshimet nëse BE-ja pranon ndryshimin e kornizës negociuese, që ndryshimi i Kushtetutës të hynte në fuqi vetëm pasi të gjitha shtetet anëtare të BE-së të ratifikonin aktin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Kjo kërkesë e saj ka të bëjë me, siç thonë, “frikën se Bullgaria mund të paraqesë kërkesa tjera gjatë procesit negociues”, ndërsa përjashtimin e BDI-së nga një Qeveri të re të mundshme e arsyeton me akuzat ndaj kësaj partie për “përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar”.
Por, njohësit e çështjeve politike thonë se kushti VMRO-së për përjashtimin e BDI-së nga një Qeveri e re paraqet “rrezik” për probleme të brendshme politike.
“Mendoj se më e pakta që i duhet këtij vendi është komplikimi i mëtejshëm i situatës me një problem të ri të brendshëm politik, si pasojë e përjashtimit të një partie të rëndësishme politike nga pjesëmarrja në qeverisjen e vendit. Pra, nga pikëpamja e kërkesave të VMRO-DPMNE-së për përjashtimin e BDI-së, mund të gjejmë arsye, por nga pikëpamja nëse një zgjidhje e tillë kontribuon apo pengon procesin, konkluzioni im është se nuk është e dobishme për stabilitetin e shtetit dhe për tejkalimin mundësisht më të lehtë dhe më të mirë të sfidave politike me të cilat po përballemi”, tha për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Spasenovski, njohës i çështjeve politike.
Sipas tij, “nga pikëpamja teknike, kushtetuese-juridike, nuk ka problem që ndonjë amendament kushtetues të zbatohet më vonë”, por këtu, tha ai, “kemi të bëjmë një detyrim ndërkombëtar të Qeverisë që ndryshimet kushtetuese të miratohen ndërmjet konferencës së parë dhe të dytë ndërqeveritare”./Rel