Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Osmani.
“Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”, shtoi ajo.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.
“Në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet dyshojnë se ky rrëmbim është bërë në shenjë hakmarrjeje.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviqi cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, tha Kurti.
Kryeminstri kosovar bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë dhe ftoi faktorin ndërkombëtar, të dënojë, atë që ai e quajti, “akt agresioni të Serbisë”.
“Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”, shkroi ai në Facebook.
Reagime në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas rrëmbimit të tre policëve nga forcat serbe. Sipas Kreut të Qeverisë shqiptare, ata që thonë se po heshtim, s’duan t’ia dinë as për Kosovën dhe as për Shqipërinë, por vetëm për politikën e luftës imagjinare me Serbinë.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, shkroi Rama në Twitter.
Rama përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe si e tillë ndjek të njëjtën linjë me partnerët. Ndërsa u shpreh se presin fjalën e KFOR-it që po heton rastin.
“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat!”, shkruan Rama.
Reagime nga BE
Nga BE-ja thanë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in për të verifikuar ngjarjet që ndodhën në vijën kufitare.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët
Komandanti i KFOR është shprehur se forcat ushtarake janë të gatshme të përballen me çdo lloj skenari dhe janë duke monitoruar situatën në terren.
“KFOR-i është i gatshëm të përballet me çdo lloj skenari dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren”, citon Express.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha në një paraqitje në Radiotelevizionin e Serbisë se “asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk e ka kaluar kufirin me Kosovën” dhe sipas tij, policët e Kosovës janë arrestuar rreth 1.8 kilometra në brendi të territorit të Serbisë. Ai tha se ushtria e Serbisë ishte 20 kilometra larg vendit të arrestimit.
Presidenti serb akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me çdo kusht dëshiron të “nxisë luftë dhe konflikte”, duke shtuar se rajoni ndodhet ne udhëkryq “ndërmjet luftës dhe paqes”.
/Argumentum.al