REALPOLITIK FLASH NR. 70
1 – 15 QERSHOR 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. Jorgji KOTE
1. KPE katandiset në forum simbolik: Më 1 Qershor në Moldavi u mbajt Samiti i II i Komunitetit Politik Europian( KPE) me praninë e 47 liderëve të Europës, dhe pa Putinin me Llukashenkon. Me mesazhe dhe rezultate që analizohen hollësisht në shkrimin tonë dhe te “ ARGUMENTUM”, me solidaritet dhe mbështetje të fuqishme për Ukrainën e duke dënuar agresionin rus ndaj saj.
Mirëpo, ndryshe nga sa ishte shpresuar fillimisht dhe në Samitin e saj inaugurues në Pragë më 6 Tetor 2022, asgjë nuk u dëgjua për programin dhe axhendën e ardhëshme të KPE-së, strukturën dhe instancat drejtuese e teknike, dallimet e saj nga “ simotrat” europiane – BE, KiE dhe OSBE-ja. Duket qartë se KPE do të ishte mbivendosje e tepërt e tyre dhe pa ndonjë funksion shtesë apo të veçantë, pra pa ndonjë vlerë të shtuar. Mesa duket, dora dorës, rëndësia dhe nvoja për KPE-në do të vijë duke rënë derisa “t’i bjerë pjaca” dhe të katandiset në një forum qeveritar të nivelit të ulët ose dhe organizatë jo-qeveritare.
2. Jo “kulaç” Beogradit dhe as “kërbaç” Prishtinës!
Më 5 – 6 Qershor, të Dërguarit e BE-së dhe SHBA-ve, Lajçak dhe Escobar ishin në Prishtinë dhe në Beograd, në përpjekje për të qetësuar situatën e krijuar pas incidenteve të 26 Majit e në vijim.
Fatkeqësisht, tensionet e mëdha dhe zhvillimet shqetësuese pas 26 Majit në Veri të Kosovës, vetëm tre muaj nga dakordësimi problematik në Ohër, çuditërisht i cilësuar ” historik” ndonëse pa firmë dhe as vulë vërtetuan fjalën e urtë ” u mbars mali dhe polli një mi!” Për pasojë, tani po zbatohet gjerësisht, veçse duke “ngatërruar adresën” politika e mirënjohur e ” kulaçit dhe kërbaçit”!.
Ndaj çdo ditë po dëgjojmë të flitet mbi “kulaç” për Serbinë, shkaktarin dhe provokuesin e vërtetë të tensioneve atje, ai që nuk firmos dhe që përbetohet kudo dhe përpara perendimorëve se ” nami të bëhet”, nuk do ta zbatojë Ohrin, me përjashtim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe; ai që nuk denjon të linjëzojë politikën e jshtme me atë të BE-së, që nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, që vazhdon të forcojë miqësinë me botën ruse, i vetmi vend që mban hapur radistacionin disinformues rus “Sputnik” në disa gjuhë. Vendin që nuk njeh krimet e të kaluarës, që nuk dënon por glorifikon gjeneralët që kryen ato krime, që ka në qeveri 4 ish ministra të Milosevicit, që vazhdon të luajë lojën politike muzikore me disa karrike! Atë që në kundërshtim me frymën dhe gërmat e Ohrit nuk do të njohë Kosovën, as sot dhe as nesër, as antarësimin e saj në KiE, OKB dhe gjetkë, sepse e konsideron pjesë të Serbisë dhe tani 15 vjet mbasi është shpallur e pavarur, 13 vjet mbasi GJND-ja ka njohur pajtimin e saj me të drejtën ndërkombëtare dhe 24 vjet mbas çlirimit nga trupat e NATO-s dhe UÇK-ja!
Nga ana tjetër, ka filluar të kërcasë ”kërbaçi” perendimor për Kosovën, viktimën dhe pasojën, vend partner besnik i BE-së dhe SHBA-ve, që po jep shembull në zhvillimin e demokracisë, që ka linjëzuar politikën e saj të jashtme 100 për qind me atë të BE-së; që mirëpriti menjëherë qindra afganë kur të tjerët refuzonin, që ka vendosur sanksione ndaj Rusisë! Vendi që ka bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme,që respekton të drejtat e pakicave më mirë se dhe ndonjë vend i BE-së!
Dakord, Kryeministri Kurti, sado të drejtë të ketë në logjikën e vet qeveritare, duhet ta kuptojë se nuk ka fuqinë e duhur; ndaj dhe në respekt të rolit e kontributit të tyre, ai duhet detyrimisht të konsultohet dhe veprojë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në; të cilat dhe kur gabojnë kanë fuqinë e nevojshme! Gjithsesi, gabimet dhe kusuret e Kosovës dhe Albi Kurtit janë të natyrës taktike, të përkohshme dhe kryesorja, fajtori kryesor që qëndron dhe pas atyre gabimeve ka qenë dhe mbetet Serbia!
Po përflitet shumë për masa dhe sanksione të rënda ndaj Kosovës, rast tejet i rallë, për të mos thënë unikal në marrëdhëniet mes partnerësh. Kjo na kujton një skeç të famshëm me Artistin e Popullit Luftar Paja, ku mbasi i bënë gjyqin lopçarit të ngratë se i kishin vjedhur lopën hajdutët, në fund ai bëri pyetjen asgjënsuese retorike! ”Mor, po, mirë fajet e mia që nuk e mbrojta dot lopën, po hajduti, ai që vodhi lopën, nuk paska faj?!!!
3. Draft i panevojshëm! Ishte ai mbi Asociacionin që Kryeministri Rama u dërgoi më 8 Qershor homologëve gjermanë, francezë dhe europianë. Pa hyrë në përmbajtjen e tij, nga ana diplomatike dhe si vende vëllezër, drafti i pa konsultuar me aktorë/faktorë të brendshëm dhe pa asnjë telefonatë me Kryeministrin e Kosovës ishte veprim i nxituar, i panevojshëm dhe i gabuar! Mirëpo në diplomaci në situata të tilla emri, forma, takti dhe etika janë vendimtare, aq sa e skualifikojnë dhe përmbajtjen, sado e përsosur të jetë. Po, një draft të tillë, ne si Shqipëri duhej ta kishim parashtruar për situatën skandaloze në Luginën e Preshevës, të banuar nga shqiptarët, por jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën janë angazhuar fuqitë perendimore me shumë ndërmjetësues elitarë. Shkurt hesapi, ky draft është irelevant dhe i panevojshëm. Ai vetëm sa i “hodhi më shumë benzinë zjarrit” në marrëdhëniet me Kosovën, asgjë më tepër.
4. As Gjakova s’na bashkoi dot! Ironikisht, logoja e takimit të dy qeverive tona në Gjakovë më 14 Qershor ishte ” Të përbashkuar në Gjakovë” Mirëpo, anullimi i njëanshëm i takimit nga Tirana dhe pa shkaqe bindëse, dëshmoi qartë se as Gjakova patriotike me tradita nuk na bashkoi dot; madje na futi më keq në sherr. Sot me Kosovën jemi më të ndarë se kurrë”! Sikur të mos mjaftonte « Ballkani i Hapur» që na mbylli mes vedi ! Fatkeqësisht, përçarja është bërë trendi politik i rrezikshëm mes dy vendeve tona. Në shumicën e veprimtarive ndërkombëtare kudo në metropolet Euro – Atlantike, liderët tanë tona shfaqen të ndarë dhe pa foto. Me fabula dhe narativa nga më të çuditshmet. Ajo që bie në sy kudo është kohezioni i madh dhe miqësia vëllazërore me Beogradin dhe Vuçiç dhe ” akulli” me Prishtinën dhe Kurtin, por jo vetëm. Mirëpo, kujdes, se në diplomaci, ndryshe nga fushatat zgjedhore dhe tribunat në takimet partiake, më shumë se gjithçka flasin aktet, faktet dhe veprimet konkrete. Le të shpresojmë për më mirë në të ardhmen e afërt.
© 2023 Argumentum