Publicisti i njohur Veton Surroi në analizën e tij të titulluar: “Shkarjet konceptuale të kryeministrit Rama” duket se ka sqaruar Kryeministrin Rama dhe të gjithe ata që përsërisin refrenin se Kosova është krijesë e “bashkësisë euroatlantike”.
Z. Surroi thekson se Kosova është e krijuar si shtet me vullnetin e qytetarëve të vet, brenda një procesi të dhimbshëm dhe evolutiv që filloi me autonominë e imponuar brenda Serbisë më 1945, ndërtimin e saj si njësi e barabartë brenda Federatës jugosllave më 1974 dhe deklarimin e mëvetësisë më 1990. Shteti nuk piku nga qielli së bashku me bombat e NATO-s më 1999. Ai ishte prodhim i një vullneti kolektiv, i cili u mbajt i bashkuar gjatë zhbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë dhe më në fund gjeti përkrahjen vendimtare të “bashkësisë euroatlantike”. Bombat nuk krijojnë shtete, atë e bëjnë njerëzit.
Argumentum.al sjell një pjesë nga analiza e Z. Veton Surroi;
Kryeministri Rama nuk ka pse të jetë ndërmjetës mes “bashkësisë euroatlantike” dhe Kosovës. Gjuha shqipe, teknikisht, nuk përbën ndonjë vlerë të shtuar në komunikim mes “bashkësisë euroatlantike” dhe Kosovës.
Duke qenë i përfshirë në sajimin e koncepteve të lëvizjes demokratike të Kosovës dhe në proceset e mëhershme negociatore, do të përpiqem të shpreh dallimet konceptuale me ato të manifestuara të kryeministrit Rama. Do të përpiqem ta bëj këtë duke përmbledhur shpjegimet e kryeministrit në disa fjali kyç.
1. “Kosova e krijuar prej ‘bashkësisë euroatlantike’ tash do të sanksionohet nga ajo…”
Gjendja në të cilën gjendet Kosova sot është vetëm një vazhdë e procesit negociator; një herë atij të sigurimit të shtetësisë brenda Jugosllavisë në periudhën 1945-1974 e pastaj atij që formalisht kishte filluar që në vitin 1990, mes lëvizjes paqësore demokratike dhe bashkësisë euroatlantike, për ndërtimin e pavarësisë.
I tërë sistemi i tanishëm, tejet i ndërlikuar kushtetues-juridik i Kosovës është ndërtuar në një proces të përhershëm negociator mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike dhe Serbisë e bashkësisë euroatlantike. Ky proces herë pas here ka përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pra shtetbërja kosovare ka pasur edhe implikimin e vet global.