Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Brukseli lidhur me situatën në veri të Kosovës se “jam shumë i lumtur që arritëm të lironim tre policët e marrë peng dhe është koha që të bëjmë ndërhyrje të menjëhershme që situata të mos përshkallëzojë”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell pas takimit të zhvilluar mes tyre, Rama tha se “ishte një kënaqësi të ndanim së bashku mendimet, opinionet tona për diçka që është kaq shqetësuese dhe për të cilën ju po punoni shumë fort”.
“Ka të bëjë me gjithë stabilitetin e rajonit, por njëkohësisht me progresin, ecurinë rajonale, sepse ne jemi pjesë e një rajoni që ka vuajtur shumë në të kaluarën, i cili nuk mund të ketë një tjetër disavantazh dhe në këtë rajon ngjarjet janë të ndërlidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Ne nuk mund të shikojmë shtëpinë tonë, pragun tonë, të bëjmë vetëm detyrat tona të shtëpisë, pa pasur parasysh se çfarë po ndodh me shtetet fqinje dhe çfarë efektesh shkatërruese mund të ketë përshkallëzimi i situatës jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për rajonin”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “ju falënderoj që keni ndarë me ne gjithmonë e më shumë prova, që durimi ka humbur për shtetet anëtare të BE-së dhe për ngritjen e shqetësimit dhe vërtetë uroj shumë që konferenca që do të zhvillohet me liderët e të dy palëve do të tërheqë shumë vëmendje dhe do të sjellë liderë nga të dyja palët, nga shtete anëtare të BE dhe SHBA dhe mos t’i lejojmë të largohen nga konferenca pa arritur një marrëveshje të përbashkët. Nëse nuk e arrijmë këtë gjë pasojat do të jenë të trishta për të gjithë ne”.
Duke iu drejtuar Borrel, Rama u shpreh se “ju e përmendët vetë që është situatë urgjente dhe ne jemi të angazhuar plotësisht të punojmë me ju, me të gjithë aleatët tanë në mënyrë që të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë në mënyrë negative në rajon”
“Kemi bërë shumë gjëra me Procesin e Berlinit, kemi bërë një progres shumë të madh me inicitivat tona, nuk mund të lemë që e gjithë kështjella që kemi ndërtuar deri tani të shembet nga një zhvillim kaq absurd, që bazohet në pretendime kaq absurde”, tha Rama.
Më tej Rama tha se ndjehet mirë kur dëgjon fjalë të mira për procesin e screening, si pasojë e reformave.
“Ka qenë një moment shumë i dobishëm biseda që kemi bërë së bashku, ka qenë një kënaqësi të flas me Presidentin e Komisionit dhe para takimit me të me Presidentin e Këshillit të Europës. Sigurisht që kjo bisedë ka qenë shumë inkurajuese, ose fakti që ne dëgjojmë fjalë të mira për punën që Shqipëria ka bërë në procesin e screening dhe gjithashtu në të gjitha reformat e ndërmarra. Ne do të vijojmë punën dhe jemi gati në kohë për të ndërmarrë hapin e radhës”, tha Rama.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me Kryeministrin Edi Rama, nga Brukseli, apeloi krerët e Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që është vënë në tavolinë javën e kaluar në Bruksel.
“Diskutuam edhe për dialogun për paqen në Prishtinë. Ju falenderoj z. Kryeministër për përpjekjet dhe angazhimin Tuaj për të gjetur një zgjidhje! E kam bërë të qartë dje, në Luksemburg, që palët duhet të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që është vënë në tavolinë javën e kaluar, në Bruksel”, tha Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, po ashtu theksoi se kjo situatë kërkon marrjen e masave në mënyrë të shpejtë dhe të menjëhershme.
“Kjo situatë kërkon që ne të marrim masa në mënyrë të shpejtë, në mënyrë urgjente. Shtetet anëtare janë dakord me këtë urgjencë dhe e kanë humbur durimin para kësaj situate që po përkeqësohet gjithnjë e më tepër dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, shtoi Borrell.
Borrell njëkohësisht vlerësoi edhe angazhimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama për dialogun që po zhvillohet në Kosovë. “Jam i lumtur që po punojmë me ju”, theksoi ai.
Pas vizitës së ty dy ditore në Bruksel, kryesisht për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së, kryeministri Edi Rama në një shënim të gjatë në Twitter thotë se takimet ishin një lajm i mirë lidhur me integrimin dhe politikën rajonale. Në këto takime thekson kryeministri Rama, ishte brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.
Rama shkruan se është e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjike që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë shton Rama, Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike.
Kreu i qeverisë shqiptarë shton se është koha që të zhvillohet një konferencë e nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetje të BE-së dhe SHBA-së, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.
‘Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike. BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës! Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë. Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës.’- shkruan Rama.
/Argumentum.al