Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se vendi i tij është shumë serioz në çështjen e perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Kancelari Scholz në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur në Berlin me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi se “Si Gjermani jemi shumë serioz në çështjen e perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”.
Ai vuri në dukje se Gjermania ka “respekt të madh” për identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase si dhe për përpjekjet e reformave që Maqedonia e Veriut ka treguar në rrugën e saj drejt BE-së. “Ndryshimi kushtetues që është planifikuar aktualisht ka rëndësi qendrore. E di që ky nuk është hap i lehtë, por ky është i nevojshëm për të hapur rrugën e procesit të anëtarësimit në BE”, tha Scholz.
Kancelari Scholz tha se për këtë arsye dëshiron të inkurajojë Maqedoninë e Veriut që të avancojë në rrugën e reformave që ka ndërmarrë me vendosmëri. “Reformat nuk janë kërkesë abstrakte. Që nga tani ato kanë ndikime pozitive shumë konkrete mbi qytetarët”, shtoi ai.
Lidhur me problemet që Rusia ka patur me grupin “Wagner”, Scholz tha: “Ushtritë sulmuese kanë qenë gjithmonë kërcënuese ndërsa ushtritë private janë edhe më kërcënuese. Ajo që ne tani kuptojmë është se ushtritë private janë gjithmonë kërcënuese, madje edhe për shtetet që i mbajnë ato. Rusia tashmë e ka ndier këtë. Prandaj e gjithë kjo është një situatë që ne e shohim me shumë shqetësim dhe e ndjekim nga afër”.
Pas një pyetjeje lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Scholz tha se ka një marrëveshje të propozuar dhe të negociuar mes dy vendeve, se pritet zbatimi i saj dhe se shpreson që të gjithë do të bëjnë pjesën e tyre për të mundësuar një fqinjësi të mirë.
– “Kemi harmonizuar me BE-në mbi 45 për qind të legjislativës tonë”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se edhe pse nuk janë anëtar të BE-së, vendi ka dakordim të plotë politik me BE-në në çështjen e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Maqedonia e Veriut është shumë përpara në procesin e BE-së. Aktualisht kemi harmonizuar me BE-në mbi 45 për qind të legjislativës tonë dhe shumë institucione tona janë formuar falë punimeve të institucioneve të BE-së”, tha Kovaçevski.
Ai foli edhe për diskutimet mbi ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. “Ky ndryshim kushtetues nuk është çështje identiteti, sepse këto çështje tashmë janë të zgjidhura. Për këtë arsye u bëj thirrje deputetëve që ta mbështesin gjithmonë këtë proces. Kjo nuk është një shfaqe e një personi, ky nuk është proces i një qeverie, i një partie politike, por është proces publik që plotëson nevojat e këtij shteti”, tha Kovaçevski.
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Bullgarinë, Kovaçevski tha se “Ministrat e Jashtëm së shpejti do të mbajnë një takim dhe falë kësaj mendoj se është hapur rruga ose është hedhur hap për një dialog. Këtu mendoj çështjet si transporti, ekonomia, integrimi, sepse në rajonin tonë kemi nevojë për politikanë që rekomandojnë zgjidhje në perspektivën e të ardhmes dhe jo për politikanë që çdo ditë kritikojnë një gjë dhe që përpiqen të zgjidhin vetëm problemet e të kaluarës”.