Janusz Bugajski
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të BE-së do të tregojnë se në cilin drejtim po shkon Evropa: Drejt ringjalljes apo ndarjes. Ato mund të përforcojnë populizmin anti BE, të ringjallin partitë tradicionale pro BE, ose thjesht të përkeqësojnë konfliktet përkrahëse. Për herë të parë në histori, zgjedhjet parlamentare të BE-së janë bërë arenë e emocioneve politike.
Votuesit nga çdo vend i BE-së do të zgjedhin Parlamentin e ri Evropian më 23-26 maj, përfshirë këtu edhe Mbretërinë e Bashkuar pas shtyrjes shtatë mujore të Brexit. Parlamenti i BE-së i përbërë nga 751 anëtarë, e që zgjidhet çdo pesë vjet, është institucioni i vetëm evropian përfaqësues i drejtpërdrejtë, edhe pse pjesëmarrja mesatare e votuesve në votimet e mëparshme mezi arrin në 43%. Parlamenti ka autoritetin që të ndryshojë, refuzojë ose miratojë legjislacionin që ndikon në jetën e të gjithë qytetarëve të BE. Ai gjithashtu voton për miratimin e 28 anëtarëve të Komisionit Evropian – pra qeverinë e BE-së.
Që nga votimi pro-Brexit dhe suksesi i partive euroskeptike në disa shtete, kanë rënë kambanat e alarmit se nacionalistët populistë do të dominojnë dhe paralizojnë parlamentin e ri. Liderët nacionalistë po inkurajojnë qytetarët që të votojnë duke pretenduar se ata ofrojnë një “harmoni të re evropiane” që do të kufizonte pushtetin e organeve të BE dhe do të rivendoste sovranitetin e shtetit.
Kjo harmoni u prezantua në një miting në Pragë më 25 prill, të sponsorizuar nga Lëvizja për Europën e Kombeve dhe Lirisë (MENF), një aleancë pan-evropiane e nëntë partive nacionaliste, që kërkon frenimin e emigracionit masiv dhe rikuperimin e sovranitetit kombëtar nga organet e BE. Në aleancë përfshihen Partia Çeke për Lirinë dhe Demokraci (SPD), Partia Hollandeze e Lirisë (PVV), Fronti Nacional Francez(RN), Partia e Lirisë në Austri (FPO) dhe Partia Liga në Itali.
Nacionalistët i shohin zgjedhjet e majit si referendum për të ardhmen e BE-së. Matteo Salvini, Ministri i Brendshëm italian dhe kreu i Partisë “La Liga”, u ka bërë thirrje partive nacionaliste të Parlamentit Evropian që të formojnë një aleancë të re, të cilën Marie Le Pen, lidere e Frontit Nacional e ka pagëzuar “Aleanca Evropiane e Kombeve”. Salvini thirri një takim në Milano më 18 maj për partitë kryesore anti-BE, mes tyre Alternativa për Gjermaninë (AfD), Partia Popullore e Danimarkës (DF) dhe Partinë Finns (PS) dhe pret që ky bllok i ri të formojë koalicionin më të madh parlamentar.
Megjithatë, një përpjekje për të formuar një “ndërkombëtare nacionaliste” ka limitet e saj, sidomos mes fqinjëve me armiqësi historike, paragjykime kulturore dhe ku mbizotërojnë interesa të dukshme kombëtare. Parti nga vende të ndryshme mund të bien dakord me një platformë anti-imigracion, por jo të gjithë populistët kërkojnë të ndjekin Brexit. Ka përçarje mes ekstremistëve, që duan të shpërbëjnë plotësisht Unionin dhe euroskeptikëve që kërkojnë të kufizojnë favoret e zyrtarëve të BE dhe t’u lënë më shumë vendime në dorë parlamenteve kombëtare.
Sondazhet e fundit tregojnë se evropianët nuk janë thjesht të ndarë mes pro-evropianëve dhe nacionalistëve, pasi ka shkallë të shumta në mes dhe shumë votues nuk kanë preferenca të ngurta. Kjo nuk do të thotë që partitë tradicionaliste do të tërhiqen nga zgjedhjet e BE, por populizmi ka kufijtë e tij. Që partitë e “zakonshme” të rifitojnë besimin e publikut, duhet të riformohen dhe të luftojnë për qytetarët e zakonshëm dhe stabilitetin kombëtar në një periudhë pasigurie të thellë publike.
Një sërë zgjedhjesh presidenciale, kombëtare dhe vendore kanë treguar se elektorati mund të mos jetë polarizuar rrënjësisht, por është jashtëzakonisht i paqëndrueshëm. Përgjatë muajve të fundit shumëllojshmëria e partive politike në spektrin politik kanë pasur rezultate më të mira se ç’pritej, përfshirë Të gjelbrit në Gjermani, social-liberalët në Sllovaki dhe ultra të dhjathtët në Spanjë. Një raport i fundit nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) zbuloi pothuajse 100 milionë votues të lëkundur pa përkatësi politike, para zgjedhjeve të BE, që formojnë 70% të qytetarëve që pohuan se po planifikojnë të votojnë.
Për më tepër, prioritetet e zgjedhësve ndryshojnë gjatë çdo cikli zgjedhor. Fokusi i mëparshëm mbi imigracionin masiv tani është zhvendosur drejt korrupsionit të qeverive, kujdesit shëndetësor, standardeve të jetesës, papunësisë së të rinjve dhe veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore emigrimin e profesionistëve të arsimuar.
Prurjet e reja të paparashikuara në politikë, të majtë, të djathtë dhe të qendrës, mund t’i bëjnë pesë vitet e ardhshme, ato më të paqëndrueshmet në historinë e BE-së, edhe pa dramën Brexit në dukje të pafund.
Zgjedhjet gjithashtu do të jenë subjekt i ndërhyrjes së shtetit rus për të ndikuar tek votuesit. Moska po mobilizon rrjetin e gjerë të mediave, lajmet false, platformat sociale dhe mbështetësit e lidhur me mediat për të promovuar radikalizmin, polarizimin, frikën dhe konfuzionin midis elektoratit të BE. Kremlini nuk është i lidhur nga ideologjia, por inkurajon të gjitha ekstremet që të sulmojnë themelet e demokracisë evropiane. – Dita