Kryeministri Edi Rama tha të shtunën se thellimi i “Procesit të Berlinit” është një domosdoshmëri dhe një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor në kushtet kur BE është gati të mbështesë një plan të ri financiar dhe ekonomik në rajon.
Në të njëjtën kohë, Rama shpalli fundin e “Ballkanit të Hapur”, që sipas tij në një intervistë televizive nga Ulqini, ishte një nismë e lindur nga nevoja për të shtyrë përpara “Procesin e Berlinit”.dhe ka përmbushur misionin për të cilin ka lindur
Kryeministri tërhoqi vëmendjen për faktin se “në tetor, Shqipëria pret Samitin e Berlinit në Ballkan për herë të parë në Tiranë, që kur Angela Merkel e nisi procesin në vitin 2014”.
Ai tha se “Ursula Von der Leyen në Bratislavë dha një mesazh të parë në lidhje me planin për rritjen e financimit, për rritjen e aksesit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian duke rritur instrumentet ekonomike”.
Ndërkohë kryeministri Rama tregoi se ka në plan të bëjë një turne në rajon për të takuar të gjithë kryeministrat dhe presidentët e vendeve të rajonit dhe për të biseduar për këtë proces, duke u kërkuar kohezion dhe bashkëpunim. /Argumentum.al