Ish-kryeministri Avdullah Hoti kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për t’i shqyrtuar masat që Bashkimi Evropian ia ka vënë Qeverisë së Kosovës. Sipas Hotit, Qeveria nuk ka treguar për masat ndëshkuese që i ka marrë nga BE.
“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera. Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re”, shkruan Hoti, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Ai kërkon nga Kuvendi që të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për t’u dakorduar, siç thotë Hoti, për kursin e veprimeve.
“Ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj? Ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit. Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, shkruan Hoti në Facebook.