Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin e Presidentit Bill Clinton me vendimmarrjen historike të NATO-s për realizmin e njërit prej sukseseve më domethënëse të politikës së jashtme amerikane, çlirimit të Kosovës dhe çeljen e një epoke të re, për këtë lagje të njohur si fuqia e barutit në zemër të Europës, me emrin Ballkan.
Kryeministri Rama u shpreh se fjalimi i Presidentit Clinton në 24 mars 1999, kur iu drejtua Amerikës dhe mbarë botës për të lajmëruar ofensivën e NATO-s ndaj forcave serbe ishte një gur përcaktues për historinë e Kosovës dhe të vetë rajonit tonë.
“Ne jemi vendi i shqiponjave dhe na vjen mirë që kjo të jetë e vërtetë. Vendlindja e Presidentit Clinton quhet “Hope”-Shpresë dhe mbase nuk është krejt rastësi që shpresën, shtëpinë e tij ai ua ridha shqiponjave të përzëna nga shtëpitë në Kosovë”, tha Rama.
Rama theksoi se Presidenti i 42-të i SHBA-së na mësoi me shembullin e oratorisë së tij dhe me forcën e shembullit të tij se të kesh shpresë do të thotë të besosh se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija nuk ka kurrë popuj të këqij.
“Askush nuk e di se si do të kishte qenë e sotmja e rajonit tonë pa Presidentin Clinton, por mund të thuhet pa frikë se koha që ka rrjedhur nga ai vendim historik deri më sot mund të kishte qenë shumë më e zymtë se sa edhe mund të guxojmë ta marrim me mend, jo vetëm për Kosovën e për pasojë të gjithë shqiptarët, për Serbinë e për pasojë të gjithë serbët. Dy kombet më të mëdhenj të Ballkanit, popujt e të cilëve janë shtrirë më shumë se sa brenda shtetit të tyre amë dhe janë të dënuar të jetojnë përjetësisht së bashku duke zgjedhur që ose do ta kthejnë Ballkanin në hapësirën e një jete të re të triumfit të paqes mes veti, ose do ta lënë peng mes mureve të frikës dhe të jetuarit me kurriz ndaj njeri- tjetrit”, tha Rama.
Por, vijoi ai, “mund të thuhet pa frikë se gjysmë milionë refugjatë kosovarë të cilët nën furinë e makinerisë gjakatare të Beogradit erdhën për të kërkuar shpëtim në Shqipëri mund të mos ishin kthyer dot vetë në shtëpi”.
“Vetë kasapi i Beogradit mbase mund ta kishte ngrysur jetën në pushtet dhe jo prapa hekurave dhe e shkuara për të ardhur deri këtu ku jemi mund t’i kishte grabitur kushedi se sa kohë akoma të ardhmes së popujve të Ballkanit”, shtoi Rama.
Rama theksoi se “pa diskutim që kontributi i drejtpërdrejtë personal i Presidentit Clinton për shqiponjën tonë binjake matanë bjeshkëve është i të tilla përmasave saqë eklipson natyrshëm kontributin e administratës Clinton për Shqipërinë, i cili në vetvete ishte mjaftueshëm i çmuar në atë kohë kut vendi ynë dilte nga një izolim i paparë askund në lindjen komuniste, si një Kore Veriore në mes të Europës ku liria erdhi bashkë me një kaos e çorodi të pashoqe”, shtoi Rama.
“Në mbështetje të Shqipërisë, Presidenti Clinton firmosi krijimin e Fondit Shqiptaro-Amerikan dhe qeveria e tij e mbështeti Shqipërinë jo thjesht përmes programeve të ndryshme të ndihmës, por në radhë të parë duke çelur epokën e re të Partneritetit Strategjik me SHBA-në, i cili u formalizua me marrëveshjen historike të partneritetit pak kohë më parë”. tha Rama.
Kryeministri theksoi se Presidenti Clinton ishte pikë referimi dhe frymëzimi për ne shqiptarët që ta ushqejmë pa pushim shpresën dhe ta bëjmë atë shtëpinë tonë.
Ish-presidenti Clinton nderohet nga Kryeministri Rama me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”
Kryeministri Edi Rama nderoi sot Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”.
Në motivacionin që shoqëron medaljen për mirënjohje publike thuhet: “Për kontributin e paçmuar për Shqipërinë, Kosovën, dhe krejt Ballkanin Perëndimor, në rrugëtimin e tyre të lirisë, demokracisë e prosperitetit, si edhe në krijimin e lidhjes së pandashme të aleancës strategjike mes dy vendeve tona”.
“Zoti President, ju keni qenë me ne përgjatë gjithë kohës me fjalët dhe veprat tuaja dhe sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët, për të rikonfirmuar angazhimin e Amerikës ndaj paqes tonë, dhe edhe një herë të na thërrasësh në shpresë. Nuk ka fjalë që mund të shprehësh mjaftueshëm përulësinë e thellë që ndjej tashmë duke ju kërkuar me përulje të pranoni medaljen e “Yllit të Mirënjohjes Publike” që është në fakt çmimi më i lartë që i jepet nga zyra e e kryeministrit dikujt i cili e meriton këtë mirënjohje të jashtëzakonshme nga vendi ynë”, theksoi Rama.
Kjo është vizita e parë e Bill Clintonit në Tiranë, ndërkaq 11 vjet më parë Shqipërinë e vizitoi bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, që atëbotë mbante postin e sekretares së Shtetit.
Clinton ishte president i SHBA-së në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë dhe ai luajti rol kyç që NATO të niste bombardimet ndaj caqeve serbe, që çuan në çlirimin e Kosovës.
/Argumentum.al