Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Kurti i cili fillimisht i priti homologët e tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pas takimit që ka zhvilluar në Qeveri, kanë mbajtur konferencë për media. Kurti, në konferencë tha se ka falënderuar dy kryeministrat që përveç ndihmave deri të tanishme për Kosovën, e kanë ndihmuar vendin edhe në arenën ndërkombëtare në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe për liberalizimin e vizave.
Ai tha se lidhur me dialogun me Serbinë, Kosova do zgjidhje evropiane dhe për këtë tha se është Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit dhe Aneksi i Zbatimit i 17 marsit “për të cilin dëshirojmë që të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte”.
“Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin tonë por edhe për BE-në që të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kurti.
Kryeministrat e Holandës dhe të Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel, i kanë përcjellë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimet e tyre lidhur me tensionet në veri të Kosovës dhe kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal.
Kryeministri Rutte deklaroi se Holanda përkrahë Kosovën dhe Serbinë në rrugën e dialogut, me qëllim të normalizimit të raporteve.
“Stabiliteti rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sot shprehëm shqetësimin tonë për rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Holanda dhe Luksemburgu po përpiqen të kapërcejnë situatën përmes dialogut dhe të normalizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Besoj se kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe për përparimin drejt integrimit në BE”, tha Rutte.
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se nuk do të ketë fitues në fund nëse do të ketë konflikt. Ai ka deklaruar se Luksemburgu dëshiron të ndihmojë dhe t’i dëgjojë palët, derisa ka theksuar se nevojitet dialog i hapur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kur është planifikuar ky udhëtim nuk e kemi ditur që do të ketë tensione përsëri, siç janë aktualisht. Ne nuk jemi këtu për të gjykuar, por për të dëgjuar dhe për t’u përpjekur në ndërtimin e urave të cilat ndonjëherë nuk janë të lehta të ndërtohen midis fqinjësh. Ne dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë. Është e rëndësishme për ne që e dimë që ka udhërrëfyes për dialog e ai është emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell. Dhe, këto janë për ne hapa të rëndësishëm për t’i ndërmarrë”, theksoi Bettel.
Ai ka shtuar se Kosova është pjesë e familjes evropiane ndërsa ka mbyllur fjalimin duke deklaruar se “ne si politikanë marrim vendime, por populli i vuan pasojat”.
Kryeministrat Rutte dhe Buttel, të cilët vijnë në Prishtinë pas vizitës zyrtare në Beograd, u pritën në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa gjatë ditës do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues të mediave dhe organizatave joqeveritare.
Vizita e Rutte dhe Bettel në Prishtinë vjen pasi një ditë më herët ata qëndruan në Beograd, ku zhvilluan bisedime me krerët shtetërorë serbë.