Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”.
“Të dyja palët [Kosova dhe Serbia] duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri kosovar.
Kurti, që nga vendosja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ka thënë vazhdimisht se ato janë të padrejta dhe se e bëjnë dialogun asimetrik.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) – propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Duke listuar pikat për të cilat është rënë dakord në Bratisllavë, mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe emisarit evropian, Mirosllav Lajçak, kryeministri kosovar në mbledhjen e Qeverisë tha se ky dakordim synon të ndihmojë zbatimin e plotë të Marrëveshjës së Ohrit, të arritur në mars të këtij viti, dhe përsëriti se ajo marrëveshje duhet të zbatohet plotësisht.
“Të dy palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe”, tha Kurti, dhe shtoi se “zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet”.
Më heret gjatë dites Kryeministri, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës përmendi takimin e Besnik Bislimit me emisarin Lajçak dje në Bratislavë të Sllovakisë. Kurti ka listuar vendimet të cilat janë rënë në dakordim mes të dy palëve, drejt rrugës së deeskalimit të situatës në veri të vendit, raporton RTK
Njëra nga pjesët më të rëndësishme të këtyre pikave ka qenë largimi i trupave të Policisë së Kosovës nga objektet e Komunave në veri dhe përreth tyre. Kjo prej një përqindje nga 25% të tyre dhe shpërndarje të tyre në pjesë të tjera.
Gjithashtu, Kurti njoftoi se është marrë vendimi që Policia e Kosovës së bashku me trupat e EULEX-it dhe KFOR-it të rishqyrtojë kohë pas kohë pakësimin e mëtutjeshëm të prezencës së këtyre trupave.
“Qeveria e Kosovës e shpall publikisht deeskalimin, për të mos marrë hapa që e deeskalojnë, reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda apo në afërsi të komunave, pra 25%. Ata do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna, diku ku ka më shumë nevojë për ta meqenëse konsiderojmë se pranë komunave tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë”, ka deklaruar Kurti.
Një pikë tjetër e potencuar ka qenë edhe thirrja për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri të vendit. “Kjo do të ndodh pas stinës së verës dhe në përputhje me kuadrin ligjor. Për ne si Qeveri e Kosovës vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Kosovës të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson si duhet, por për ta arritur këtë duhet ambienti që mundëson fushatën e mirëfilltë”, ka thënë Kurti.
Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.
Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Java e ardhshme mund të shënojë një periudhë të re zhvillimesh për të ulur tensionet në veri që u përshkuan me veprime të dhunshme dhe nxitën shqetësime për ripërtëritje konfliktesh në zonën e trazuar.
/Argumentum.al