Kreu i Grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi të premten thirrjen e protestave nga ana e opozitës.
Në një konferencë për shtyp, nga selia ku zhvillon aktivitetin politik “Rithemelimi”, Berisha parashtroi akuzat e tij për dosjen e inceneratorëve. I pyetur se si do të reagojë opozita lidhur me këtë dosje, Berisha u përgjigj duke thekuar se do t’i drejtohet shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta.
“Ne e kemi trajtuar këtë temë me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe. Por është e domosdoshme që ne t’u drejtohemi shqiptarëve për këtë çështje. Në asnjë vend të botës, një qeveri që ka bërë këtë, nuk qëndron. Dhe nëse qëndron, qëndron për dobësi të opozitës”, tha Berisha.
“Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta. Kjo është një aferë e tmerrshme. Nuk ka shoqëri që mund të tolerojë këtë aferë. Do ketë negociata me opozitën. Do bëhen negociata me forca të tjera opozitare. Por kjo nuk mund të kapërcehet!”, shtoi Berisha.