Të hënën më (17 korrik) kryeministri Edi Rama do të presë në Tiranë në një takim informal lider të Rajonit si dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Oliver Varhelyin, mëson Report Tv. Takimi vjen në kuadër të përgatitjeve të Samitit për Procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Report TV mëson se në takimin kanë konfirmuar pjesëmarrjen liderët e rajonit, Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i RMV Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe ajo e Serbisë Ana Bërnabiç. Të njëjtat burime thonë se ende nuk është konfirmuar nëse do të vijë në takimin informal kryeministri Albin Kurti
Ky takim ishte paralajmëruar nga Edi Rama në turin Ballkanik të zhvilluar pak ditë më parë, ndërsa në Samitin e NATO-n në Lituani Rama konfirmoi edhe një vizitë të Presidentit francez Emanuel Macron. Më 6 dhjetor 2022 në Tiranë u mbajt samiti i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.
Samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë më 16 tetor 2023.