Nëse VMRO-DPMNE, BDI, PDSH, Lëvizja BESA, RDM, PLD, partitë e serbëve, romëve, turqve dëshirojnë të mos ketë shtyrje të zgjedhjeve duhet të miratohet ligji për prokurorinë publike, sepse ashtu janë marrë vesh të gjitha partitë.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dje tha se ligji për prokurorinë publike, Protokolli për NATO dhe ligji për mbrojtje, janë pjesë e agjendës që është arritur nga të gjitha partitë të përfundojë deri në shpërndarjen e Kuvendit më 12 shkurt.
“Nëse dikush e shkel këtë, atëherë shpërndarja e Parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve nuk do të ndodhë”, tha Zaev
Spasovski kërkon që të mos shtyhen zgjedhjet
Kryeministri teknik Oliver Spasovski, ndryshe nga bashkëpartiaku i tij Zoran Zaev që nuk përjashtoi mundësinë për tu anuluar zgjedhjet e caktuara për më 12 prill, Spasovski nuk e pret që të ndodh e njejta.
Spasovski kërkon që të mos shtyhen zgjedhjet
Unë pres se do të ketë zgjedhje më 12 prill. Kjo nuk është deklarata dhe qëndrimi i parë lidhur me zgjedhjet, e që ka të bëjë me miratimin e zgjidhjeve ligjore, të cilat para se gjithash do të thonë përparim të shtetit, realizim i interesave tona kombëtare. Këtu është miratimi i ligjit për prokurori publike, ligjet për mbrojtje, i cili poashtu është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për rrugën drejt NATO-s, por i rëndësishëm në përgjithësi për pozitën e Armatës, njerëzve në Armatë, deklaroi dje kryeministri, Oliver Spasovski në TV Telma, duke komentuar deklaratën e liderit të LSDM-së Zoran Zaev, se nëse nuk ka ligj për PP, nuk ka shpërbërje të Kuvendit.
“Ne mund të debatojmë, të debatojmë për tema të cilat janë politikë e pastër, partitë janë këtu që të garojnë dhe tani vijon proces zgjedhor, ku do të duhet t’i ballafaqojnë konceptet, programet e tjerë. Megjithatë për këto çështje mendoj se duhet të ketë minimum konsensus. Unë pres se megjithatë edhe subjektet politike, edhe deputetet në Kuvend do të jenë në krye të përgjegjësisë së tyre, të cilën e kanë edhe ndaj qytetarëve, edhe ndaj shtetit, se përmes një dialogu mund të arrihet konsensus lidhur me miratimin e këtyre zgjidhjeve ligjore”, tha Spasovski.
Kryeministri tha se nuk beson në anulimin e zgjedhjeve, por, edhe nëse anulohen, sipas tij, ato ndonjëherë do të mbahen, pas një ose dy muajve.
“Perspektivat evropiane duhet të vijnë sa më shpejtë. Tani kur t’i shihni këto dy interese, me të vertetë më i rëndësishëm është interesi i shtetit dhe përparimi i shtetit”, tha Spasovski.
Dje u mbajtën disa takime bilaterale me përfaqësues të grupeve të deputetëve ku u shqyrtuan amandamentet e tyre për ligjin për PP-në. Nga Ministria e Drejtësisë informojnë se qëllimi i atyre takimeve është sigurimi i konsensusit dhe shumica prej dy të tretave.
Pas takimit të fundit të grupit të punës të premten, disa disa grupe të deputetëve, fundjavën që shkoi parashtruan amandamente për ligjin për prokurorinë publike, ndërsa disa bënë lutje për kohë shtesë në mënyrë që t’i formulojnë ato për shkak të obligimeve që i patën me dialogun Zhan Mone.
Kreu i opozitares VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është shprehur kundër çdo shtyrje të zgjedhjeve të 12 prillit.
Vlerëson se çdo shtyrje eventuale nënkupton krizë të thellë politike në vend.
“Nuk ka nevojë për takim liderësh në rast se flasim për mbajtjen e zgjedhjeve. Data është caktuar, jemi marrë vesh dhe kjo duhet të zbatohet. Çdo shtyrje eventuale do të thotë krizë serioze në shtet”, tha Mickoski.
Për VMRO-DPMNE-në është e pranueshme zgjidhja ligjore që do ta përpunojnë dhe do të dalë nga vetë opinioni i ekspertëve që ishte përfshirë në debatin publik për ligjin për prokurorinë publike, thotë lideri i partisë opozitare Mickoski.
“Nevojitet vendim ligjor cilësor, ndërsa jo një që pushteti shtyn në derë të vogël vetëm një javë e gjysmë para shpërbërjes së Parlamentit. Për atë për VMRO-DPMNE-në, me qëllim që të mos robërohet në kotësinë e disa ministrave dhe qëndrimin e Zaevit për përgjegjësi, është i pranueshëm vendimi ligjor të cilin do ta përpunojnë dhe i cili do të dalë nga vetë opinioni ekspert i cili ishte përfshirë në debatin publik për ligjin e prokurorisë publike”, citon Mickoski në deklaratën e shkruar të dërguar nga Qendra për komunikime të VMRO-DPMNE-së.
Mickoski thotë se nuk krijohet vendim ligjor për mbrojtje të interesave partiake të individëve, por vendim i propozuar nga ekspertët i cili do të pranohet për Kuvendin.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ditën e njejtë e porositi VMRO-DPMNE-në se nëse mendojnë se ka nevojë për ndryshime të tekstit të ligjit, t’i përkushtohen përgatitjes së amandamenteve. Vetëm ashtu. thotë. do të tregojnë se janë të gatshëm t’i venë interesat e eurointegrimit para interesave personale të kriminelëve të akuzuar dhe të dyshuar nga radhët e tyre.
Mbetet e hapur çështja nëse partitë do të kenë sukses t’i harmonizojnë qëndrimet në mënyrë që Parlamenti ta miratojë ligjin deri në shpërndarjen e tij. Sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, ka mundësi rregulloreje që Propozim-ligji të vihet menjëherë në mbledhje kuvendore nëse harmonizohet teksti.
Për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për PP-në ditëve të kaluara folën edhe faktorët e brendshëm politik, por edhe bashkësia ndërkombëtare.
© Argumentum.