Nga Stefani NOVA
A do të takohet Kurti me Thaçin? Ka kaq ditë që mediat kosovare aludojnë nëse kjo do të ndodhë. Njësoj si ditët, kur po për këta të dy, prisnim plot ankth a do të takoheshin për të mundësuar dekretimin e qeverisë së re kosovare. Takimi i munguar mes tyre bëhet kështu një “tërkuzë” e gjatë, që s’pushon as ditë as natë… Duke i lënë shumë pak vend, por edhe vëmendje analizimit të asaj ç’ka po bëjnë kundërshtarët nga ana tjetër. Ata të cilët në fakt, rezulton se jo vetëm që takohen mes vedi, porse kur vjen puna për qëllimin e përbashkët, atë të heqjes së disa kilogramëve të Kosovës në peshoren e arenës ndërkombëtare, gjejnë dakordësi dhe bëhen një.
Kur vjen puna për pakësimin e njohjeve të Kosovës, Vuçiç, Daçiç, opozitarë si Jeremiç, por edhe gjithë “iç”-ët e tjerë me poste në shtetin serb unifikohen, bëhen një zë dhe nuk ndalen… Derisa arrijnë të fabrikojnë lajme të tilla si ai i tërheqjes së njohjeve prej disa vendeve, si Xhamajka para disa ditësh, apo prej Sierra Liones, shpërndarë ditën e djeshme. I pari rezultoi të ishte i rremë, edhe për këtë të dytin kështu po flitet. Teksa presidenti serb lançoi në fakt dje se janë disa njohje në projeksion, që mund të tërhiqen prej vendeve të ndryshme. Gjë që autoritetet e larta serbe kanë vite që e bëjnë dhe që deri më sot për fat nuk është se ka rezultuar me ndonjë tërheqje potenciale, e cila mund të evokonte pasoja të qenësishme të prezencës së Kosovës si shtet i mirëfilltë, me të drejta të plota në arenën ndërkombëtare si e tillë.
Por gjithsesi, nuk duhet të vetëkënaqemi nga kjo. Më shumë se pasojat e një fushate të tillë, ndoshta duhet të merremi me zhurmën që bëhet në kuadrin e saj dhe ata që e trumbetojnë atë. Pikërisht ata që duket se janë më të bashkuar se kosovarët kur vjen fjala “për një dëshirë e një qëllim”…
Le të jemi të sinqertë. Diplomacia serbe ndër kohë ka treguar se di të jetë jo vetëm intensive e produktive, por edhe agresive në të njëjtën kohë. Ta lëmë mënjanë në këtë rast analizën nëse ajo është pozitiviste apo negativiste, kundrejt faktorit shqiptar si i tillë. E dimë se është e dyta. E të mos vetëkënaqemi duke sjellë gjithmonë ndërmend faktin se ajo shigjetohet nga ndërkombëtarët sa herë ajo i kundërvihet këtij faktori.
Ama le ta themi. Diplomacia serbe punon. Sendërton. Përditë. Madje çdo çast. Di të jetë edhe imponuese. Qoftë edhe duke manipuluar dhe propaganduar. Porse arrin të krijojë rezultate…
Në një kohë kur opinionit shqiptar, qoftë atij në Kosovë, qoftë atij në Shqipëri “i hapet koka” ditë e natë nga pyetja 1-milion dollarëshe: A do takohet Kurti me Thaçin?
Sepse gjatë kohës kur kjo pyetje e stërmundimshme ende mbetet pa një përgjigje, politikanët serbë, të të gjitha kaheve, jo vetëm që janë takuar mes vedi, por edhe kanë thurur dhe vënë në jetë plane të reja kundër Kosovës.
/argumentum.al/
© Argumentum