Në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi dhe në lidhje me këtë temë nuk ka asnjë diskutim, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
“Kush nuk e kupton këtë, nuk ka vend në pozitat shtetërore. Le të shikojmë drejt së ardhmes, kemi shumë punë për të bërë”, shkroi Abazoviq më 30 mars në llogarinë e tij në Twitter.
Qëndrimi i zëvëndëskryeministrit të Malit të Zi pason reagimet ndërkombëtare për deklarimet e ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, të cilat u cilësuan si mohim apo relativizim i gjenocidit në Srebrenicë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti nëse, si ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, ai ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri Leposaviq ka thënë se ai nuk mund të njihte ose të mos e njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri”
Më 29 prill, Bashkimi Evropian bëri thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë tha se ishte e shqetësuar me deklarimet që vinin në dyshim atë që ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë luftës së vitit 1995.
Qeveria e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiq tha më 29 mars se ata respektojnë detyrimet ndërkombëtare të Malit të Zi, si dhe vendimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe se dënojnë të gjitha krimet.
“Qeveria malazeze as nuk do dhe as nuk mund të ndryshojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare, por as nuk mund t’i shpallë disa kombe gjenocidiale dhe të tjerët të shenjtë, sepse kjo është në kundërshtim me parimin që çdo krim është individual”, thuhej në deklaratë.