Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç deklaroi sot në Tiranë se ardhmëria e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Në një prononcim për mediet pas pritjes nga Kryeministri Edi Rama në tapetin e kuq shtruar para Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rastin e Samitit të Berlinit në Tiranë, Abazoviç deklaroi se “Kryeministri Rama ka sjellë gjithë Evropën në Tiranë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një shenjë shumë e mirë shpresoj që ardhmëria e të gjithëve është në Bashkimin Evropian”, tha Abazoviç.
Samiti i Procesit të Berlinit, i cili mbahet për herë të parë në rajon dhe konkretisht në Tiranë, do të bëjë bashkë sot, të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.