Nga Genc Mlloja
Një simpozium në internet i organizuar nga Instituti për Punët e Jashtme i Popullit Kinez me rastin e 99-vjetorit të lindjes së ish-sekretarit amerikan të Shtetit Henri Kisinger ishte një rast për një vështrim aktual të kursit të marrëdhënieve kino-amerikane që nga vizita e parë e tij në Pekin më 1971 e deri ne ditët e sotme. Të para nga aspekti i historisë duken qartë ngritjet dhe uljet, shkrirjet dhe ngrirjet në kornizën e lidhjeve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Popullore të Kinës gjatë 5 dekadave të fundit, ndërmjet një superfuqie në ‘fuqi’ dhe një superfuqie tjetër në ardhje, dhe në këtë kuadër temë sensitive diskutimi ishte aspekti i perspektivës së tyre në të gjitha fushat me rëndësi jetike jo vetëm për Kinën dhe SHBA-në, por edhe për tërë botën. Të pranishmit në këtë veprimtari u hodhën një vështrim përpjekjeve të Dr. Kisinger për zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane dhe shqyrtuan në diskutimet e tyre mënyrat për ti forcuar ato, sipas CRI në shqip.
Përpjekjet e dyanshme të Pekinit dhe Uashingtonit rezultuan në atë kohë, pra pas vitit 1971, në një partneritet të ri midis dy vendeve që zgjati për disa dekada dhe secila palë pati përfitimet e veta mbi bazën e interesave reciproke, por sigurisht udhëheqësit politikë si të Kinës ashtu edhe të SHBA-së ndoqën edhe linjat e interesave strategjike të vendeve te tyre.
Kryediplomati kinez Wang Yi në simpoziumin e organizuar nga Instituti për Punët e Jashtme i Popullit Kinez me rastin e 99-vjetorit të lindjes së ish-sekretarit amerikan të Shtetit Henri Kisinger(Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)
Qarqet politike, ushtarake e sociale si dhe qendra të mirënjohura studimore në mbarë botën e pranojnë se rritja spektakolare ekonomike dhe sociale e Kinës brenda një periudhe të shkurtër prej pak dekadash nuk ka precedent në historinë botërore dhe tashmë nuk shtrohet çështja se ky vend i madh po ‘rritet’, se potenciali ekonomik i tij po zë gradualisht vendin e parë në rang botëror, por pranohet fakti se realisht ai po bëhet fuqia më e pakontestueshme në botë.
Në fakt, Republika Popullore e Kinës ka kapërcyer çdo ritëm zhvillimi dhe populli i saj krenohet me të drejtë për arritjet e papara dhe i gëzohet kalimit nga varfëria në një vend socialist të modernizuar, i cili nuk ndalon në zhvillimin e mëtejshëm në të gjitha drejtimet deri në arritjen e synimit për ndërtimin e një “vendi të madh modern socialist”. As vetë strategët më në zë të botës, përfshi edhe ata amerikanë, nuk e kanë menduar në fillim të viteve 1970-të se çfarë do të thoshte shpirti kinez i ringritjes, nuk e kishin marrë në konsideratë, ndoshta, atë potencialin e pashpërthyer popullor, që nën udhëheqjen e Partisë Komuniste ia ndryshoi faqen vendit. Nëse politikëbërësit kinezë me në krye figurën e shquar Ten Hsiao Pin ndërmorën kursin e hapjes së madhe ndaj botës, përfshi edhe SHBA e Perëndimin në përgjithësi në vitin 1978, vizioni i tyre ishte i qartë në perspektivë: rritje spektakolare dhe sfida të shumta!
Shteti ligjor në shërbim të mbarë popullit pa asnjë dallim dhe të interesave të vendit, barazi gjinore, arsim për të gjithë, shëndetësi falas për tërë popullin, zhdukje e varfërisë ekstreme, lartësim i autoritetit të vendit në mbarë botën, potencial modern ushtarak në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit – këto janë disa ndër arritjet më të mrekullueshme për një popull prej 1.4 miliard njerëzish. Rritje, si për shembull, e GDP-së nga 900 dollarë më 1960 në më shumë se 10,000 dollarë në ditët e sotme përbën me të vërtetë temë studimi të specialistëve të fushës ekonomike! Nga ana tjetër, Kina është tani vendi me nivelin me të lartë të dhënies së kredive për vendet e tjera duke ua kaluar Bankës Botërore dhe FMN-së.
“Ajo (Kina) është e destinuar të udhëheq ndryshimin global dhe bota duhet ta përgatisë veten për atë kohë”, vinte në dukje Shahid Javed Burki, ish- zëvëndës president i Bankës Botërore një vit më parë në gazetën The Express Tribune (19 korrik, 2021).
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken mbajti një fjalim mbi politikën ndaj Kinës në Universitetin “George Washington”, 26 maj(Foto:VCG)
Mirëpo a kanë qenë të përgatitur SHBA e një grup i vogël vendesh pasuese të tyre perëndimore për këtë ndryshim global të pashmangshëm të rendit botëror me Kinën si promotore kryesore e këtij zhvillimi historik? Po kështu a e kanë menduar ata më 1971 se ekonomia kineze do të zhvillohej në përmasa të tilla duke u radhitur si ekonomia e dytë më e madhe në botë? A u ka shkuar në mënd se hapësira kozmike do të ishte pafundësisht domen edhe i Kinës? E ka shumë pyetje të tilla retorike të mrekullive kineze që përcaktojnë konturet e një superfuqie.
Ndoshta pikërisht këtu, tek kjo ‘mrekulli kineze’, duhet kërkuar burimi idhnak i nxitjes së ethshme nga Uashingtoni të frymës konfliktuale me Kinën, duke e përshkallëzuar atë drejt luftës së ftohtë në forma nga më të ndryshmet. Në disa qarqe amerikane të mbruajtur me frymën hegjemoniste mbisundon frika (reale) se ekonomia kineze do të jetë më e madhe se sa ajo amerikane nga fundi i kësaj dekade e bashkë me të do të kthehet ne ‘histori të së shkuarës’ hegjemonia amerikane e numrit 1 në botë. (Në fakt hegjemonia amerikane ka marr fund de facto). E pjesa dërmuese e parashikimeve dëshmojnë për një ndryshim të tillë progresiv sepse Kina ka burime të shpenzojë, për shembull, më shumë se 1 trilion dollarë për të përmirësuar infrastrukturën fizike dhe njerëzore, që e lidh me botën.
‘Një brez, një rrugë’ është kthyer në programin më të madh shumëplanësh ekonomik e financiar, që ka parë ndonjëherë njerëzimi dhe shtrirja e tij në mbarë botën e ka spostuar qendrën e gravitetit nga Uashingtoni e Perëndimi drejt Kinës e kësisoj ky vend është kthyer në qendër të vëmendjes së mbarë njerëzimit. E kjo vëmendje, që shoqërohet me ndjenja tejet mirënjohje, është bërë akoma më e madhe kur e tërë bota u përball me pandeminë tragjike kovidiane sepse ishte Kina që doli në front të parë me ndihma kolosale mjekësore anti-Covid me vlera shumë miliardëshe që as SHBA e as Perëndimi nuk qenë në gjendje ti përballonin.
Multilateralizmi i shoqëruar me solidaritet veçanërisht ndaj vendeve të varfra dhe të vogla nuk u ka shkuar asnjëherë për shtat SHBA; përkundrazi kjo fuqi hegjemoniste është përpjekur ta sabotojë në forma nga më të ndryshmet këtë platformë duke iu përmbajtur unilateralizmit te vet. Mirëpo përmasat dhe rezultatet e favorshme të një bote me marrëdhënie multilateraliste, kryesisht për vendet në zhvillim që janë pjesa më e madhe e njerëzimit, si dhe rritja e potencialit kinez në botë, kanë fituar terren të padiskutueshëm në mbarë globin.
E në përpjekje për ta siluruar këtë vrull përparimtar dyshja Biden-Blinken po pompon në mënyrë të ethshme frymën armiqësore anti-kineze duke e kthyer tashmë në strategji, e cila mbart të gjithë elementët e ‘Luftës së Ftohtë’ por nën një logo tjetër, atë të teorisë së ‘Kërcënimit nga Kina’.
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi (i dyti djathtas) bashkëkryesoi Mbledhjen e 2-të të Ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Fixhit Voreqe Bainimarama (i pari djathtas) në Suva të Fixhit, 30 maj 2022. / Xinhua
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken mbajti një fjalim mbi politikën ndaj Kinës në Universitetin “George Washington” më 26 maj, ku paraqiti modelin e politikës së re të SHBA-së ndaj Pekinit. Sipas tij, ndërsa SHBA e shohin luftën e Rusisë në Ukrainë si kërcënimin më akut dhe të menjëhershëm për stabilitetin ndërkombëtar, ai zbuloi se administrata amerikane besonte se Kina përbënte një rrezik më të madh. “Kina është i vetmi vend me synimin për të riformuar rendin ndërkombëtar – dhe, gjithnjë e më shumë fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta bërë këtë”, ai tha. Kështu, Blinken parashtroi në këtë kuadër parime për administratën për të ‘riformësuar burimet, miqtë dhe aleatët’ e saj për të frenuar rritjen e vetëbesimit kinez në mbarë botën. Edhe pse ai pretendoi se SHBA nuk kërkon të ndryshojë sistemin politik të Kinës, në fakt dukej synimi i maskuar që të ofrohej një alternativë tjetër!!!
“Kjo nuk ka të bëjë me detyrimin e vendeve për të zgjedhur, por për t’u dhënë atyre një zgjedhje”, kumtoi ai. Por Blinken pranoi publikisht gjithashtu se SHBA kanë aftësi të kufizuara për të ndikuar drejtpërdrejt në synimet e Kinës dhe në vend të kësaj do të fokusohen në formësimin e mjedisit strategjik rreth saj…
Duke shkuar më tej në arrogancën amerikane në këto kohë të trazuara edhe nga lufta në Ukrainë me rreziqe që shtrihen rrezikshëm në kontinentin evropian, presidenti i SHBA Joe Biden lëshoi nga toka e Japonisë ku ishte për vizitë më 23 maj se ai do të ishte i gatshëm të përdorte forcën për të mbrojtur Tajvanin kundër sulmit kinez në një koment që edhe nga vetë analistët amerikane është konsideruar si shtrirje e kufijve të “politikës së paqartë të SHBA-së ndaj ishullit të vetëqeverisur”.
Pasi Biden e bëri komentin në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin japonez Fumio Kishida në Tokio, një zyrtar presidencial tha se deklarata e presidentit nuk përfaqësonte asnjë ndryshim në qëndrimin afatgjatë amerikan ndaj ishullit që ‘Kina e pretendon si të vetin’.
Por ndërsa flet për ‘luftë në mbrojtje të Tajvanit’ Biden kujtohet se SHBA kanë një angazhim ndaj politikës së një Kine, duke deklaruar se amerikanët pajtohen me politikën e ‘Një Kine’, një zotim, i cili, sikurse dihet nga mbarë bota, është i shkruar e zeza në të bardhë në marrëveshjet përkatëse kino-amerikane.
Pekini e ka përsëritur qëndrimin e vet duke paralajmëruar se ky shantazhim është ‘vija e kuqe’ kineze dhe në mënyrë konsekuente ka deklaruar se Tajvani është pjesë e pandarë e Republikës Popullore të Kinës. Në këtë frymë autoritetet kineze iu kundërpërgjigjën flakë për flakë kërcënimit brutal të Bidenit duke deklaruar botërisht se Shtetet e Bashkuara ‘po luajnë me zjarrin’.
Zyra e Këshillit të Shtetit Kinez e Çështjeve Tajvaneze deklaroi se SHBA po e përdorin kartën e Tajvanit për të frenuar Kinën, dhe ‘do të digjen vetë’. Agjencia Xinhua citoi zëdhënësin e zyrës, Zhu Fenglian, i cili u bëri thirrje SHBA “të ndalojnë çdo deklaratë ose veprim që shkel’ parimet e vendosura më parë midis Pekinit dhe Uashingtonit.
Deklaratat e kohëve të fundit për Tajvanin kanë krijuar gjithashtu shqetësim në vendet e atij rajoni të trazuar ashtu sikurse edhe fakti që Kina ka qenë tema kryesore e Bidenit në udhëtimin e tij inaugurues në Azi.
Ndërkohë vihet re se janë bërë përpjekje në qarqet politike dhe mediatike amerikane që deklaratën e fundit të Biden ta paraqesin si ‘gafë’ në kuadër të çorientimeve të tij të shpeshta, por sipas analistëve kjo nuk është hera e parë që ai shpreh angazhimin ndaj ‘mbrojtjes së Tajvanit’.
Por përpjekjet e Uashingtonit për të goditur arkitekturën e marrëdhënieve të mëparshme kino-amerikane ngritur në vitet 1970 nëpërmjet një rritje të frymës konfliktuale kanë gjetur përgjigjen e fortë të një Kine të vendosur të ecë përpara si vend sovran dhe i pavarur pa iu frikësuar e nënshtruar asnjë shantazhi të SHBA-së apo të ndonjë grup vendesh të rrjeshtuar prej Uashingtonit.
“Nëse SHBA-ja i sheh marrëdhëniet me Kinën vetëm në kuadrin e konkurrencës ndërmjet vendeve të mëdha dhe përcakton si objektiv të politikës së vet mendësinë ‘fitore ose humbje’, ajo vetëm se do t’i çojë marrëdhëniet dypalëshe në kundërvënie e konflikt dhe botën në ndarje e trazira”, tha Ministri i Jashtëm kinez në simpoziumin mbi marrëdhëniet kino-amerikane.
Wang tha se në një epokë trazirash dhe ndryshimesh, njerëzimi ka nevojë për një filozofi të re diplomatike të bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, duke i bërë thirrje Uashingtonit të ndërmarrë veprime për t’u dhënë energji pozitive marrëdhënieve kino-amerikane.
Sipas kryediplomatit kinez ndërtimi i një bote të ndërlidhur, të larmishme dhe përfshirëse është një përgjegjësi e përbashkët e Kinës dhe e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë detyra kryesore e Kinës është të përqendrohet në zhvillimin e saj dhe të përmbushë aspiratat e popullit të vet për një jetë më të mirë, theksoi ai.
Nuk ka dyshim se çdo përpjekje që bëhet për ti veshur një petk ideologjik frymës konfliktuale të qëndrimit të SHBA-së ndaj Kinës është fallco sepse marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare karakterizohen nga ligje ndërkombëtare dhe ekzistojnë me dhjetëra organizata ndërkombëtare që rregullojnë dhe mbikëqyrin rendin botëror. OKB-ja dhe organizmat e shumta të saj përfshi edhe forcat paqeruajtëse, FAO, OBSH, PNUD, UNESCO, FMN, Banka Botërore, Agjencia Botërore e Refugjatëve e shume organizma të tjerë ndërkombëtarë e rajonalë janë krijuar njëra pas tjetrës pas Luftës së Dytë Botërore pikërisht për të administruar aspekte nga më të ndryshmet të marrëdhënieve midis vendeve dhe popujve. Nëse në fillimet e tyre ishin SHBA e një grup i ngushtë vendesh të pasura perëndimore që vendosnin për çdo gjë në përputhje me interesat e tyre kolonialiste e neokolonialiste, ai hegjemonizëm është shkërmoqur dhe balanca po rivendoset aty ku duhet të ishte: barazi e të gjithë kombeve para të Drejtës Ndërkombëtare.
Punonjës në kantierin e ndërtimit të një ndërtese tregtare me financim nga Kina në Suva të Fixhit, 7 tetor 2020. /Xinhua
Dhe kjo e Drejtë Ndërkombëtare ia ka sanksionuar Kinës si tërë vendeve sovrane të drejtën e zhvillimit të gjithanshëm pa vendosur askush mbi ritmin e kufijt e rritjes së saj ekonomike e sociale. Përkundrazi sa më shumë që zhvillohet një vend, e veçanërisht fuqitë e mëdha si Kina, vendet e BE-së, SHBA-ja, Rusia, India, Japonia e të tjerë, aq më mirë është për popujt e botës, sidomos në situatat e tanishme të mbarsura me konflikte të armatosura dhe krizë globale ekonomike dhe mungesë besimi në rritje midis vendeve të ndryshme.
Në përpjekje që të izolojë sa të ketë mundësi Kinën në veprimtarinë e saj bashkëpunuese me vende të tjera, Uashingtoni bën zhurmën e zakonshme duke i vënë çdo veprimtaria të saj etiketën e platformës kineze për të rritur ndikimin në rajon e botë. Pjesë e këtij skenari u bë edhe forumi i Kinës me vendet ishullore të Paqësorit si dhe një marrëveshje kornizë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës e Ishujve Solomon. Me sy xhelozie shikohet gjithashtu vizita 10-ditore e Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në rajonin e Paqësorit, gjatë së cilës ai propozoi “angazhimin në katër drejtime” për të zhvilluar marrëdhëniet me vendet e rajonit. Gjatë takimit me medien në Honiara të Ishujve Solomon, Wang bëri thirrje për trajtimin e barabartë të njëri-tjetrit, ruajtjen e respektit të ndërsjellë, arritjen e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, si dhe hapjen e përfshirjen.
Duke komentuar gjatë vizitës së tij në Fixhi mbi Kornizën Ekonomike të Indo-Paqësorit të propozuar nga SHBA-ja, Wang tha se Uashingtoni përpiqet t’i politizojë çështjet ekonomike. Sipas tij, edhe tregtia e zakonshme e mallrave matet me “kutin” nëse përputhet me vlerat amerikane. “Korniza pretendon të krijojë një rend të ri lirie, hapjeje dhe përfshirjeje, por si mund të jetë një kornizë ekonomike e lirë pa ulur tarifat? Pa hyrje në treg, si mund të flasim për hapje? Nëse përjashtojmë qëllimisht Kinën, tregun më të madh në rajon, e madje në botë, si mund të flasim për gjithëpërfshirje?” pyeti Wang.
Sipas tij, SHBA-ja po përpiqet t’i formësojë vendet e tjera sipas standardeve e rregullave të veta dhe të përjashtojë sistemin e tregtisë shumëpalëshe me Organizatën Botërore të Tregtisë në themel. Praktika të tilla bien ndesh me ligjet bazë ekonomike, me tregun e lirë dhe me prirjen e globalizimit ekonomik, shtoi Wang Yi
Anatemat e dala boje amerikane janë dënuar jo vetëm nga Kina por edhe nga vetë këto vende të vogla ishullore të Paqësorit, të cilat e njohin mirë politikën grabitqare të SHBA-së e fuqive të tjera neokolonailiste sepse e kanë provuar mbi kurrizin e tyre prej qindra vitesh.
Liderët amerikanë, britanikë dhe australianë deklaruan formimin e partneritetit të sigurisë “AUKUS”, 15 shtator,2021(Foto:VCG)
Në vazhdën e kësaj fryme armiqësore anti-kineze ishte edhe një deklaratë e përbashkët e SHBA-së dhe Zelandës së e Re, e cila ripërsëriste shqetësimin mbi ‘ndikimin’ e Kinës në rajonin e Paqësorit. Në deklaratën e publikuar nga presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern pas takimit të tyre para pak ditësh në Shtëpinë e Bardhë, thuhet se të dy palët janë të shqetësuara për një marrëveshje kornize për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës e Ishujve Solomon. Duke shkuar më tej kjo deklaratë i referohej edhe temave shabllone të preferuara amerikane mbi çështjet e Tajvanit, Xinjiang-ut dhe Hong-Kongut.
Duke i dënuar të tilla shpifje si ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian më 1 qershor deklaroi se çështjet që kanë lidhje me Tajvanin, Xinjiang-un dhe Hong-Kongun janë “punë të brendshme të Kinës” dhe Kina nuk do të lejojë ndërhyrjen e vendeve dhe forcave të huaja.
Kurse lidhur me bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës dhe Ishujve Solomon Lijian deklaroi se ai nuk ka si objektiv ndonjë palë të tretë dhe nuk synon ndërtimin e ndonjë baze ushtarake.
E ndërkohë për të rifreskuar memorien e lexuesit duhet rikujtuar se SHBA e kanë mbushur botën cep më cep me bazat ushtarake të tyre, të cilat janë kthyer në një rrezik potencial për sigurinë e stabilitetin e vendeve në rajonet përkatëse. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se SHBA kanë më shumë se 750 baza ushtarake, të cilat janë të shpërndara në 80 vende të rruzullit tokësor, të pasuara nga Britania e cila ka 145 baza. Kjo do të thotë se SHBA kanë tre herë më shumë baza ushtarake se sa kanë vendet e të gjithë botës të marrë së bashku. Jo më kot edhe brenda në SHBA është rritur presioni mbi administratën Biden që të pakësoj bazat ushtarake jashtë dhe të mos vazhdojë përpjekjet për ta kthyer ‘botën në garnizon’ të vet.
“E vetmja mënyrë e sigurt (për SHBA) për të mbyllur një bazë lokale, duket se është humbja e një lufte, si në Vietnam dhe Afganistan. Kjo duhet të ndryshojë. Amerika nuk mund të përballojë ta kthejë globin në garnizon. Administrata Biden duhet ta kthejë SHBA-në në një vend normal përsëri. Dhe kjo do të thotë të mos ketë më legjione perandorake të vendosura në mbarë botën për qëllime të tjera përveç mbrojtjes së Amerikës,” vinte në dukje Doug Bandow, studjuesi i lartë në organizatën private jo fitimprurëse në SHBA, CATO, e cila merret me kërkime në fushat publike e politike.
Nga beteja Rusi-Ukrainë(Foto:VCG)
Prandaj është po aq anti-njerëzore me plot rreziqe përshkallëzimi i armatosjes dhe tregtia e shrenuar e armëve në krye të së cilës qëndrojnë manjatët e industrisë ushtarake amerikane, çka po vihet re dukshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Popujt duan buke e jo plumba, fëmijët duan qumësht e jo armë helmuese me lëndë kimike, të rinjtë duan shkollë e punë dhe jo të bëhen mish për top sikurse ngjau për 20 vjet me rininë amerikane e të disa vendeve të NATO-s në Afganistan, Irak, Siri e vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, shtresat në nevojë e mosha e tretë duan një jetë më të mirë e të qetë dhe jo një politikë histerike militariste!
Përkundrejt këtij realiteti të ndërtosh strategji të reja të frenimit të Kinës apo të ndonjë vendi tjetër nëpërmjet formave të reja të ‘Luftës së Ftohtë’ dhe ti kthehesh praktikës së vjetër imperialiste të krijimit të aleancave politiko-ushtarake për t’iu kundërvënë popullit kinez, sikurse po vepron Uashingtoni, është të shkosh kundër interesave globale të njerëzimit, që shikon kah paqja, siguria, dhe përparimi. Pjesa dërmuese e vendeve të botës duan dhe kërkojnë me vendosmëri, dhe tani, paqe e zhvillim, popujt aspirojnë për barazi e jo diskriminim e shfrytëzim prej fuqive të mëdha se në fund të fundit zemërimi popullor do të bëhet i papërmbajtshëm./CRI