Kryeministri Edi Rama, i cili në dhjetor njoftoi ndalimin 1-vjeçar të TikTok-ut, tha këtë javë se kishte zhvilluar bisedime “të hapura dhe konstruktive” me platformën e medieve sociale.
Rama tha për platformën kineze se mbyllja do të zgjaste gjithë vitin 2025.
Ai njoftoi gjithashtu se qeveria do të niste programe për t’i shërbyer arsimimit të studentëve dhe për të ndihmuar prindërit të ndiqnin rrugëtimin e fëmijëve të tyre.
Por, pas diskutimeve me Christine Grahn, një nga zyrtarët më të lartë të TikTok-ut në Evropë, ai sugjeroi që një ndryshim i politikës ishte i mundur.
“Ne diskutuam për shqetësimet që na shtynë të pezullonim përkohësisht aksesin në platformën, TikTok në Shqipëri”, tha Rama në llogarinë e tij në Facebook.
“Ishte një diskutim plotësisht i hapur dhe konstruktiv, gjatë të cilit vendosëm disa pika bashkëpunimi për javët dhe muajt e ardhshëm… përndryshe do të jemi të detyruar të ruajmë mbylljen e aksesit në platformë”, shtoi Rama, i cili u takua me Grahn në Davos.
Burimet e TikTok-ut treguan se ishte një takim konstruktiv me marrëveshje për të punuar me qeverinë shqiptare për të adresuar çdo shqetësim.
Vendimi për bllokimin e rrjetit të diskutueshëm social erdhi më pak se një muaj pasi një nxënës 14-vjeçar u vra dhe një tjetër u plagos në një përleshje pranë një shkolle në Tiranë.
Përleshja ishte zhvilluar nga një konfrontim online në rrjetet sociale.
Vrasja e të miturit ndezi një debat në vend mes prindërve, psikologëve dhe institucioneve arsimore për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë.
“Në Kinë, TikTok-u promovon sesi studentët mund të ndjekin kurse, si të mbrojnë natyrën, si të ruajnë traditat”, tha Rama në dhjetor.
“Por, në TikTok-un jashtë Kinës ne shohim vetëm llum dhe baltë. Pse na duhet kjo?”, shtoi ai.
Pasi TikTok-u kërkoi shpjegim për ndalimin, Rama u përgjigj se platforma nuk kishte arsye për të kërkuar sqarime nga Shqipëria.
Kthesa e dukshme e Ramës erdhi dy ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një dekret për pezullimin për 75 ditë të ndalimit të TikTok, pronarët e të cilit janë urdhëruar nga Kongresi amerikan të shesin platformën ose ta shohin atë përfundimisht të ndaluar në SHBA./ATA