Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se plani ekonomik i qeverisë për t’i bërë ballë presionit që po shkakton COVID-19 në ekonomi mbështet shtresat në nevojë, ata që humbasin punën për shkak të situatës së krijuar si dhe i jep garanci sipërmarrjes që për shkak të ngadalësimit ekonomik të ketë mundësinë të aksesojë në financim në funksion të pagesës së pagave.
Ministri Ahmetaj, i cili është caktuar të menaxhojë situatën dhe të ndjekë planin ekonomik, bëri të ditur se është ngritur një grup pune për të evidentuar të gjithë qytetarët që humbasin punën si dhe sipërmarrjet.
“Po ndjekin situatën që nga momenti kur kompania ndalon së punuari dhe aty formatohen ndërhyrjet. Këshilli i Ministrave këtu vendos ndërhyrjen nga një gjysmë page minimale e deri te një pagë e gjysmë minimale, në varësi të situatës”, tha ministri. Sipas tij, po shqyrtohet edhe mundësia e rritjes së pagesës ekonomike për një ose 2 muaj.
Plani ekonomik, tha ai, i referohet familjeve në nevojë, qytetarëve, familjeve me ndihmë ekonomike, të papunëve, biznesit të vogël, atyre të vetëpunësuar, kamatëvonesat.
“Janë 120 milionë dollarë që nxjerr buxheti i shtetit me disa instrumenta brenda, ku 65 milionë dollarë, pjesë e fondit rezervë, do të shkojë për mbështetje për bizneset e vogla apo ata që humbasin punën për shkak të virusit, familjet në nevojë apo komunitete të ndryshme që mund të gjenden në situatë të papritur. 25 milionë dollarë shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë që t’i përgjigjet gjithë kërkesave që kanë për mjekët, për ilaçe, respiratorë që të operojë me fleksibilitet e shpejtësi të madhe”.
“Instrumenti i tretë shkon për emergjencat civile prej 20 milionë dollarësh”, deklaroi ministri.
Një tjetër instrument, vuri në dukje ministri, është instrumenti i garancisë sovrane prej 100 milionë dollarësh, që do të thotë se qeveria shqiptare firmos një garanci sovrane duke garantuar të gjitha bizneset të trokasin në dyert e bankave për të marrë kredi për të paguar pagat e punonjësve.
Ministri theksoi se po negociohet me bankat për të arritur një minimum interesi për kreditë. “Po negociojmë me të gjitha bankat që të jetë nën 3%”, deklaroi ministri.
Kush nuk e bën këtë nga sipërmarrësit, tha ministri, do të thotë nuk do të paguajë punonjësit e tij.
Një tjetër mbështetje, tha Ahmetaj, është edhe pagesa e kamatëvonesave të energjisë elektrike. Ministri po ashtu tha se është pezulluar pagesa e tatim-fitimit për biznesin deri në 14 milionë lekë duke i riskeduluar ato për një situatë më të mirë, kur ai të rinisë rimëkëmbjen.
“Do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë”, u shpreh ministri. Ministri e konsideroi të pamundur anulimin e pagesës së faturave të energjisë, pasi sipas tij, kjo do të çonte në kolaps OSHEE, duke rrezikuar furnizimin me energji të popullatës dhe ekonominë.
Ai bëri të ditur se buxheti do të humbasë vetëm këtë muaj si pasojë e COVID-19 rreth 70 milionë dollarë, ndërsa muajt e tjerë goditja do të dyfishohet.
Lidhur me koncesionet për të cilat opozita ka kërkuar anulim, ministri shpjegoi se ato që nuk janë aktive nuk do të nisin dhe fondet e parashikuara shkojnë në buxhetin për planin ekonomik, ndërsa koncesione si ai i sterilizimit apo përpunimit të mbetjeve, janë shërbime për qytetarët.
“Koncesionet ofrojnë shërbime jetike dhe që frenojnë koronavirusin. Vorbulla që kanë ngritur oligarkët, oligarkët, paketa shkon drejtpërdrejt tek qytetarët dhe biznesin e vogël”, tha ai.
Ahmetaj u shpreh se po punojmë 24 orë të mbajmë situatën në planin “A” dhe shpresojë të mos shkojmë kurrë të plani “B”.