Kreu i BDI, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në Prishtinë të prezantimit të librit “Përplasja e Madhe”, shkruar nga ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni Ahmeti tha se, “Enveri na ofron një analizë, ku tek unë ka ngjallur apo më ka rikthyer kujtesën nga takimet që kam pasur me diplomatë të ndryshëm, por në veçanti më ka freskuar kujtesën në takimet që kam pasur me ambasadorët rusë në Shkup, por edhe një takim që kam pasur me ambasadorin e Serbisë në Shkup. Është libër interesant për ta lexuar, por edhe që mëson shumëçka”.
“Enveri e fillon me atë se Rusia nga një rival me botën perëndimore, po shndërrohet me një kundërshtar dhe një kundërshtar goxha i radikalizuar, goxha i mobilizuar. Me këtë rast ambasadori rus para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ne e mbështesim stabilitetin e Maqedonisë dhe Marrëveshjen e Ohrit, por për gjëra të tjera misioni jonë është që ne të bëhemi po aq të fortë dhe aq konkurrues, sa ato vende dhe mekanizma ndërkombëtarë ku ju synoni, në NATO dhe BE. Ne duam të jemi të fortët dhe vendimmarrësit”, theksoi Ahmeti.
“Do më hidhëronte Enveri nëse do e përshkruante Putinin si të sëmurë, i dridhet dora, i dridhet këmba. Enveri e ka kapur në thelb, në substancë çështjen, Putini nuk është i sëmurë. Putini ka doktrinë Rusinë cariste. Putini ka platformë sesi ta realizojë ëndrrën e madhe. Ka bashkëpunëtorë, ka ekipe”, u shpreh Ahmeti.
“Qartë shihet që Ukraina është pjesa më nevralgjike për Rusinë, sepse me Ukrainën, Rusia mbetet perandori, pa Ukrainën Rusia është shtet. Kështu bëhet përshkrimi dhe është shumë e vërtetë”, tha Ahmeti.
“Qëllimi kryesor i Putinit është ta mbulojë Odesën dhe të dalë në veri të Moldavisë. Ta shkëpusë tërësisht Ukrainën nga lidhja dhe komunikimi me detin”, theksoi Ahmeti.
“Në Ballkan Rusia i ka mbajtur lidhjet historike me Serbinë dhe me vatrat, pikat që ka krijuar si në Bosnjë, për fat të keq nga anketime sondazhet që bëhen në shtetin tim fatkeqësisht dhe një pjesë e madhe mbështesin politikat ruse. një pjesë e madhe kanë simpati dhe admirim dhe e quajnë Serbinë shteti më mik. Një pjesë kanë nostalgji për Jugosllavinë. Kjo është e vërteta. Por është një e mirë, që forcat politike që ne i kemi partnerë, koalicioni, por edhe ata që nuk i kemi partnerë janë opozitë janë shumë të kujdesshëm në këto përcaktime sepse nuk mund të ketë partneritet me ne ajo forcë e cila nuk pranon integrimin e vendit në BE, integrimin e vendit në NATO. Nuk mund të ketë partneritet me ne ajo forcë që është kundër marrëveshjes së Ohrit-it, kundër marrëveshjes së Prespës, është kundër marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, është kundër Pavarësisë së Kosovës”, vijoi Ahmeti.
Ahmeti tha se, “libri përmbyllet me një analizë shumë të mprehtë, por edhe aktuale, që midis Kosovës dhe Serbisë duhet një marrëveshje historike. Dhe është fakt që duhet marrëveshje të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, sepse në rajon problemi i Kosovës është i hapur, përderisa ky problem është i hapur, paqja dhe stabiliteti, siguria nuk janë në nivelin e duhur. Problemi i Bosnjës i pambyllur. Këto probleme, siç është dhe problemi akoma që nuk ka marrë epilog dhe shpresojmë që deri në fund të qershorit të ketë një epilog republika e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Bullgarisë për marrëveshjen për ta përmbyllur për fqinjësinë e mirë. I qetë dhe në rahati të plotë nuk është Ballkani, por nuk është as Evropa. Një Evropë me një Ballkan akoma me probleme të pazgjidhura”.
“Edhe në libër është ngritur dhe guximshëm e ka ngritur Enveri, duhet marrëveshje historike mes palës serbe dhe palës kosovare. Ose duhet me vendos të luftohet. Kush është çmimi i një lufte të re dhe kush është çmimi i një marrëveshjeje që duhet të arrihet mes palëve? Fundi i fundit problemi nuk është vetëm i Kosovës, pajtimi. Se në Lumë janë të vrarë 10 mijë në 1913. Vetëm në katundin tim në 1913 janë 750 të vrarë dhe unë kam dhjetëra anëtarë të familjes të djegur e të ekzekutuar. Nëse duhet të bëhet pajtimi i gjithë shqiptarëve të pajtohemi me atë marrëveshje historike që mund të arrihet dhe të njihet reciprokisht shteti i Kosovës”, theksoi Ahmeti.
“Kjo është një iniciativë. Nuk dua të bëhem as avokat i kryeministrit Rama, por unë kam 20 vite që flas për pajtimin se nuk kemi zgjidhje tjetër, ose të bëjmë luftë dhe ti vendosim në peshore kush është më e leverdishmja. Iniciativa “Ballkani i Hapur” nuk është imponuese. Do, pranon marrëveshjet që do nënshkruhen, do s’i pranon. Nga 10 marrëveshje, 5 i pranon, 5 nuk i pranon. Ama është iniciativë autoktone, e paimponueshme dhe të shihet se çka mund të arrijmë në drejtim për të pasur një epilog”, theksoi Ahmeti.