Intervistë e zotit Akri Çipa, ekspert për çështje të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme
Lajmi më i rëndësishëm se edhe vetë marrëveshja e arritur dje në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë me ndërmjetësimin e Trump nga ana e kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, ka qenë
pikërisht njohja nga Izraeli e Kosovës. Një lajm që çan “rrethimin e njohjeve”, por edhe se lidhet me një shtet të rëndësishëm, aleat i SHBA, por edhe aktor kyç në Lindjen e Mesme.
Akri Çipa është një nga shqiptarët e njohur në mediat dhe qarqet e rëndësishme izraelite kohët e fundit. Teksa ka punuar si ekspert nga Ballkani me një nga organizatat më të rëndësishme
hebraike në SHBA, American Jewish Congress, Çipa ka qënë dhe është shumë aktiv në artikulimet për çështjet ballkanike në mediat izraelite. Madje dy muaj më parë ka pasur polemika
me përfaqësues serbë, për shkak se në një shkrim në gazetën më të madhe në Jeruzalem i kërkoi Izraelit të njohë Kosovën. Ne i kërkuam të analizojë atë çka ndodhi në Uashington ditën e
djeshme e që pushtoi titujt e mediave botërore.
Në Shtëpinë e Bardhë u firmos një marrëveshje e rëndësishme, “historike” sipas Presidentit Trump. Megjithatë, në fund, nuk pati njohje reciproke. Si ndikon kjo për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Në radhë të parë duhet theksuar se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të drejtpërdrejtë, por më shumë një angazhim të Kosovës dhe Serbisë me Shtetet e Bashkuara. Dakordësimi dhe formati
tipik i angazhimit lë dyshime për mënyrën se si do konkretizohen të gjitha pikat e përfshirë në diskutim. Përtej kësaj, lajmi kryesor i ditës është vendosja e raporteve bilaterale ndërmjet
Kosovës dhe Izraelit. Për fat të keq, marrëveshjet e firmosura nga Kosova në dekadën e fundit kanë qënë në disfavor dhe, në disa raste, të dëmshme për Kosovën. Formati i procesit të dialogut që ka ndjekur Bashkimi Europian gjatë këtyre viteve ka treguar mangësi të mëdha në strukturë, objektiva dhe rezultate. Të paktën, takimet në Uashington këto ditë kanë treguar se ekziston një tjetër mënyrë. Kosova përballet në Uashington me një klimë komplet të ndryshme krahasuar me acarin e Brukselit. Do të kishte qënë shpresëdhënëse nëse do të kishte pasur një angazhim nga Shtetet e
Bashkuara për t’u koordinuar me BE-në për vazhdimësinë e procesit.
Cilat gjykoni se do jenë efektet afatgjata të takimit të Uashingtonit? Si e shikoni pranimin nga Kosova të pikës ku i kërkohet të hiqet dorë nga përpjekja për të hyrë në organizata ndërkombëtare?
Moratoriumi një-vjeçar i Kosovës për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare është një nga pikat me të cilat delegacioni serb do mburret në Beograd. Ky element, gjithsesi, nuk ndryshon
shumë në sensin praktik për Kosovën. Nga ana tjetër, angazhimi serb për të ndalur për një vit fushatën e çnjohjeve ka gjasa të jetë më realisht me më shumë pasoja në terren.
Për fat të keq, vitet e fundit lajmet janë dominuar nga pretendimet serbe për tërheqje njohjesh dhe dështimi i Kosovës në fushatën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare si ajo e
Interpol-it. Njoftimi i sotëm për vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin është një moment kthese për Kosovën në këtë drejtim.
Mendoj se në planin afatgjatë, përtej marrëveshjes, Serbia ka arritur tashmë një pastrim imazhi;një shëlbim në raport me Shtetet e Bashkuara dhe me perëndimin. Për Amerikën, Presidenti
Vuçiç nuk është më ish-bashkëpunëtori i afërt i Sllobodan Millosheviç. Serbia nuk shikohet më si delja e zezë që për pak shkaktoi një gjenocid të mirëfilltë në zemër të Europës në fund të
mijëvjeçarit të shkuar. Ky pastrim imazhi po ndodh teksa Serbia nuk ka pastruar ndërgjegjen dhe nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. Dhe, në Ballkan, nuk mund të ketë pajtim të mirëfilltë pa
vendosur në vend drejtësinë.
Pse u zgjodh pikërisht ky moment për deklarimin e njohjes nga Izraeli të Republikës së Kosovës? Çfarë konditash e bënë të mundur këtë zhvillim?
Izraeli ka pasur gjithmonë mirëkuptim për situatën komplekse të Kosovës dhe padyshim simpati për vetë historinë e dhimbshme të popullit shqiptar në Kosovë. Ajo çfarë i pengonte vendosjet e
marrëdhënieve ishin llogaritjet pragmatike. Pavarësia e Kosovës kontestohet si unilaterale nga Serbia dhe aleatët e saj, dhe Izraeli i druhej faktit që mund të përdorej për të krijuar paralelizma,
në fakt inekzistente, me konfliktin në Lindjen e Mesme. Ka dy faktorë kryesorë që e zhbënë këtë iluzion. Në radhë të parë, është një realitet i ri që është krijuar. Izraeli normalizoi marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe përpara pak javëve nëpërmjet një marrëveshjeje historike të ndërmjetësuar drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë. Ky zhvillim tregoi se pozicioni i Izraelit në arënën ndërkombëtare e ka tejkaluar konfliktin izraelito-palestinez. Pikërisht ky realitet i ri e çliroi Izraelin nga hezitimi i derimësotshëm. Nga ana tjetër, gurthemeli është përfshirja e drejtpërdrejtë lobuese e Shteteve të Bashkuara. Garancitë e ofruara nga SHBA janë elementi final që lëvizi peshoren dhe solli më në fund njohjen e Kosovës nga Izraeli. Tashmë harta e Ballkanit në Izrael nuk do të ketë më një hapësirë gri.
Përpara pak muajsh ju botuat një opinion në Jerusalem Post, gazetën më të madhe izraelite në gjuhën angleze, për nevojën e njohjes së Kosovës nga Izraeli. Ndaj atij shkrimi pati kundërpërgjigje në mediat izraelite nga përfaqësues të diplomacisë serbe. Si mendoni se është pritur në Beograd njohja nga Izraeli?
Vendosja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit me bekimin e Shteteve të Bashkuara është një goditje për përpjekjet e mëdha të palës serbe për ta parandaluar atë. Nëpërmjet
kanaleve zyrtare, Serbia është përpjekur gjithmonë për të shkurajuar çdo lloj iniciative izraelite drejt Kosovës. Zyrtarët serbë kanë përdorur çdo lloj kanali për të ruajtur këtë status quo. Këtë
vit, Presidenti Vuçiç u shfaq në konferencën vjetore të AIPAC, organizatës më të madhe lobuese pro-Izraelit në SHBA. Pikërisht këtë javë, Kryeministrja serbe Brnabiç botoi një shkrim në
Jerusalem Post ku celebronte marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Izraelit dhe falenderonte këtë të fundit për refuzimin e njohjes së Kosovës.
Ky realitet i ri dhe vendosja e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Izraelit lë një shije të hidhur në Beograd. Vendimi për të lëvizur ambasadën serbe në Jeruzalem në korrik të vitit
2021 është padyshim një kërkesë e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump dhe ekpi i tij dukeshin të kënaqur me marrëveshjen e arritur. Çfarë vlere ka kjo marrëveshje parë nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara?
Në rradhë të parë, Shtetet e Bashkuara treguan se aftësia e aftësia për të çuar përpara proceset dialoguese, edhe në rastet e konflikteve komplekse dhe të mbartura, është e papërsëdytshme.
Angazhimet e firmosura nga Serbia dhe Kosova, mbi të gjitha në lidhje me rrjetin 5G dhe limitimet për furnizuesit e tij, duke piketuar padyshim Kinën dhe Huawei, reflektojnë një arritje të
një objektivi tjetër të rëndësishëm. Krijuan një model për ta përjashtuar Kinën nga një element nevralgjik si infrastruktura 5G. Është një angazhim që SHBA do përpiqet ta marrë nga të gjitha
vendet e rajonit. Eventi i djeshëm ka dhe një efekt të vogël elektoral për Presidentin Trump. Duke e quajturceremony “historike”, ai përpiqet të përforcojë kredencialet e tij si negociator. Nga ana tjetër, ai do reklamojë përpjekjet e tij për forcimin e pocizionit të Izraelit në arenën ndërkombëtare nëpërmjet hapjes së ambasadës së Kosovës dhe Serbisë në Jeruzalem. Ka një pjesë të
elektoratit që e vlerëson mjaft këtë gjë.
Si mendoni se do reflektohen zhvillimet e Uashingtonit në dialogun e Brukselit, teksa Kryeministri Hoti dhe Presidenti Vucic pritet të takohen atje të hënën?
Mendoj se, për fat të keq, mungesa e njohjes reciproke në Uashington është një tregues se procesi do të zvarritet gjatë. Nga ana tjetër, aftësia e Shteteve të Bashkuara për t’i ulur palët bashkë dhe për të sjellë zhvillime të tilla të rëndësishme si njohja e Kosovës nga Izraeli nxjerr zbuluar procesin në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe i Dërguari i Posaçëm Lajçak duhet të tregojnë që janë në lartësi për ta kaluar dialogun në një stad tjetër. Nëse duan realisht të tregojnë se palët duhet të shkojnë drejt një marrëveshjeje përfundimtare, nuk do bënin keq të merrnin pak nga manuali i Uashingtonit. Sikurse e këshillonte dhe profesori Edward Joseph në një shkrim në Foreign Policy këto ditë, njohja e Kosovës nga vendet e BE-sëqë ende nuk e kanë njohur do të ishte një hap shumë i rëndësishëm. Nëse europianët e kanë seriozisht, atëherë të ndjekin shembullin e SHBA-së me Izraelin dhe të nisin një ofensivë për të
garantuar njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së.
Nga gazeta Shqip