Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona.
Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.
Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.
Sipas zyrtarëve maqedonas, shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.
Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes. Në këtë aksident nuk janë përfshirë automjete të tjera.
Autobusi që shkaktoi aksidentin është në pronësi të agjencisë turistike Besa Trans, e cila sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar, por Inspektorati Shtetëror për Transport ka bërë të ditur se ndaj kësaj kompanie gjatë këtij viti janë ngritur katër padi për mosrespektimin të protokolleve kundër COVID-19.
Një hetim për shkakun e aksidentit është duke u zhvilluar. Ministri i Brendshëm bullgar, Bojko Rashkov tha se autobusi shkatërroi parmakun mbrojtës të autostradës, duke shtuar se ka gjasa që zjarri të jetë shkaktuar nga kontakti i autobusit me parmakun mbrojtës.
Prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska tha se agjencia turistike është duke u hetuar dhe se ajo e ka kontaktuar pronarin e saj.
“Ai është këtu në vendngjarje, ku është autobusi. Fola shkurt me të dhe më tha që 20 vjet ka kompani transporti. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident. Kështu më ka thënë ai. Por, ne do ta sigurojmë dokumentacionin e plotë për të gjithë autobusët e kompanisë, kur janë të regjistruar, kur kanë qenë për kontroll teknik dhe do t’ua dërgojmë kolegëve këtu në Bullgari për hetime të mëtejme”, ka deklaruar prokurorja maqedonase, Ruskoska.
Stanislav Vladimirov, kryetari i Komunës së Pernikut që gjendet në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, tha se në këtë autostradë ka shpesh aksidente sepse rruga nuk është e nivelizuar si duhet dhe trafiku është mjaft i rënduar.
“Përveç kësaj, rruga ishte e lagësht për shkak të shiut, kështu që arsyet mund të jenë shumë të ndryshme”, tha ai.
Kryeministri bullgar, Stefan Yanev tha se tragjedia e ka vendosur Bullgarinë para një sfide të madhe, për të zbuluar sa më shpejt shkaqet e aksidentit.
“Është një tragjedi që ka tronditur Bullgarinë, duke e vënë para një situate që të reagojë shumë shpejt. Do të bëjmë gjithçka të mundur që ky aksident trafiku të hetohet. Të zbulojmë se pse humbën jetën 46 persona dhe çfarë mund të bëhet për të lënduarit. Tani gjithçka është në duart e organeve të hetuesisë dhe vetëm më pas mund të komentojmë shkakun dhe çfarë ka ndodhur saktësisht. Për momentin, e vetmja gjë që mund të themi është se kemi një tragjedi të madhe dhe shfrytëzoj rastin që të shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”, ka deklaruar kryeministri bullgar, Stefan Yanev.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, së bashku me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, kanë shkuar në Bullgari.
“Jam në kontakt me kryeministrin Stefan Janev, i cili tashmë ka vizituar njerëzit. Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim që në Republikën e Maqedonisë së Veriut të shpallet tri ditë zie për shkak të aksidentit të autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 persona. Flamujt shtetërorë para Qeverisë tashmë janë ulur në gjysmështizë.
Për shkak të aksidentit tragjik që ndodhi në Bullgari e ku jetën e humbën 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, të gjitha Ambasadat dhe Misionet jashtë vendit i ulën flamujt në gjysmë shtizë, bëjnë të ditur nga MPJ.
“Ministria e Punëve të Jashtme e informon opinionin se në përputhje me Vendimin e Qeverisë për shpalljen e tri ditë zie në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Republikën e Bullgarisë, ku humbën jetën më shumë qytetarë tanë, të gjitha Ambasadat dhe Misionet jashtë vendit i ulën flamujt në gjysmë shtizë.
Njëkohësisht, informojmë se të gjitha Ambasadat dhe Misionet tona kanë hapur libra të zisë, ndërsa janë anuluar të gjitha ngjarjet, pritjet dhe promovimet e planifikuara në kuadër të Ambasadave dhe Misioneve tona gjatë ditëve të zisë”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
E mërkura do të jetë ditë zie gjithashtu në Bullgari, pas incidentit tragjik ku humbën jetën 46 shqiptarë të Maqedonisë e Veriut.
Lajmin e bëri të ditur zv/kryeministri Galab Donev në Varna.
Në këtë mënyrë do të nderohet viktimat e dy tragjedive – zjarrit në shtëpinë e të moshuarve në fshatin Rojak dhe atë të incidentit të rëndë në autobusin që u përfshi nga flakët në autostradën e Strumës.
Vendimi pritet të shpallet nga Këshilli i Ministrave në vend.
“Dita e zisë do të jetë e përbashkët në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Donev.
Politikanët nga Shqipëria dhe Kosova ngushëllime për aksidentin me 46 viktima në Bullgari
Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet për familjarët dhe autoritetet e vendit fqinj, ndërsa uroi shërim të shpejtë për të mbijetuarit.
“Hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut.
Në këto çaste të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit,” – shkroi Meta në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla shprehu ngushëllimet për viktimat. Ajo tha se do gjendet pranë familjarëve në këtë tragjedi të bashkëkombësve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari.
“Dhimbje e thellë për tragjedinë e aksidentit të bashkëkombësëve tanë nga Maqedonia e Veriut në Bullgari. Ngushëllime familjeve të tyre! Ju jemi pranë në këto momente tejet të vështira,” – shkroi Nikolla.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për ngjarjen tragjike në Bullgari ku humbën jetën 46 persona.
“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët,” – shkroi Rama në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi se ishte i shokuar nga tragjedia. Ai shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjarët e viktimave, ndërsa uroi forcë për të përballuar dhimbjen e tmerrshme.
“I shokuar nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari që shkaktoi humbjen e kaq shumë jetëve të pasagjerëve, përfshirë shumë bashkombas tanë e mes tyre shumë të mitur. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Zoti ju dhënë forcë në përballimin e kësaj dhimbje të tmerrshme,” – shkroi Basha në Twitter.
Po ashtu reagime pas aksidentit me 46 viktima në Bullgari kanë ardhur edhe nga politika në Kosovë dhe Mal të Zi
Kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për t’i ofruar ndihmë Maqedonisë së Veriut.
“I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, shkruan mes të tjerash Kurti.
Edhe presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani shkruan se Kosova ndan dhimbjen me familjet e viktimave.
Duke kujtuar aksidentin tragjik në Kroaci, Osmani ka thënë se Kosova i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, derisa ka shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë Maqedonisë së Veriut.
Mesazhe ngushëllimi janë përcjellë edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku.
Nga Mali i Zi kryeministri malazez Zdravko Krivokapiq sot deklaroi se ndan pikëllimin e madh me kryeministrat dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për aksidentin e autobusit afër Sofjes ku humbën jetën 46 persona, kryesisht pasagjerë nga Maqedonia e Veriut.
Jam i befasuar me lajmin tragjik se jo larg Sofjes ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në të cilin kanë humbur jetën të paktën 46 persona, kryesisht qytetarë të Maqedonisë së Veriut. E ndaj dhimbjen e pamasë me kryeministrat dhe të gjithë qytetarët e dy vendeve mike”, shkroi Krivokapiq në Tuiter.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ngushëlloi familjet e viktimave të “aksidentit të tmerrshëm në Bullgari”, ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që është e mundur.
Ngushëllimet e tyre i shprehën edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe komisionari per zgjerim Oliver Varhelyi.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, ngushëlloi familjet dhe u shprehu mbështetje atyre që u plagosën në aksident./Argumentum.al- Rel