Qeveria ka shpallur për ditën e sotme sot zi kombëtare për të nderuar viktimat e aksidentit të rëndë hekurudhor në Greqi, ku humbën jetën 57 persona, midis të cilëve edhe shtetas shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga godina e Kryeministrisë, ku flamujt janë ulur gjysmështizë, në shenjë solidariteti me fqinjin tonë.
Rama publikoi më 2 mars vendimin e Qeverisë që shpall ditën e zisë kombëtare.
“Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Ditën e dielë, Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysmështizë”, tha Rama.