Të paktën dhjetë vetë kanë vdekur dhe rreth 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën A3 pranë Slavonski Brod në Kroaci.
Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur të dielën, pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Përveç 10 të vdekurve, 44 persona janë plagosur, 15 prej tyre në gjendje të rëndë, ka njoftuar kjo Ministri.
Aktualisht, 42 persona po trajtohen në spitalin në Sllavonski Brod, një pacient është dërguar në Nova Gradishka dhe një tjetër në Zagreb.
Autobusi i aksidentuar është i agjencisë kosovare “Deva Tours”, raporton gazeta kroate “Jutarnji List”. Sipas kësaj gazete autobusi i aksidentuar vinte nga Frankfurti në drejtim të Kosovës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 6.20 të mëngjesit. Policia kroate është duke i hetuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ky aksident trafiku.
Kryeminstri kroat Andrej Plenkovic ka reaguar pas aksidentit fatal të autobusit me të cilin po udhëtonin rreth 60 shqiptarë nga Frankfurti drejt Prishtinës, i cili u aksidentua në Kroaci.
Plenkovic ka shprehur ngushëllimet më të thella, ndërsa tha se Kroacia u qëndron pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Kosovës.
“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një autobusi në rrugën afër Slavonski Brod, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Shpresoj që pasagjerët e lënduar të shërohen. Për aksidentin e tmerrshëm, unë fola me Ministrin e Brendshëm, Davor Bozinovic dhe Ministrin e Shëndetësisë, Vilija Beros. Ministri Beroš dhe drejtori i mbrojtjes civile Trut u drejtuan për në Slavonski Brod për t’u njohur me të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për t’u ofruar kujdes shëndetësor pasagjerëve të plagosur”, ka shkruar ai në Twitter
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur për në Kroaci për t’i vizituar të lënduarit e aksidentit tragjik të mëngjesit të sotëm që i la të vdekur 10 persona që po vinin nga Frankfurti në Kosovë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Së bashku me Kurtin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
ZKM-ja tha se institucionet e Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Osmani shpall të hënën ditë zie, ndërpret vizitën në Japoni
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.
Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë./ Argumentum.al