Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, dhe zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj shkëmbyen akuza të ashpra në baza kombëtare.
Konflikti mes tyre zgjat për më shumë se një muaj.
Së voni, Mandiq e përshkroi Gjeloshajn si “shovinist” ndaj serbëve.
Partia e Gjeloshajt e quajti Mandiqin “shqiptarofob” që “nxit shovinizëm” në Mal të Zi.
Mandiq është një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik prorus dhe proserb, ndërsa Gjeloshaj i Alternativës Shqiptare.
Para pesë muajsh, ata u bënë partnerë të koalicionit, pasi partitë e Frontit Demokratik, me mbështetjen e deputetëve dhe partisë së Gjeloshajt, hynë në Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq.
Partia, udhëheqës i së cilës është Mandiq, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mbron heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO, mohon gjenocidin në Srebrenicë e të tjera.
Arsyeja e fundit: Të arrestuarit në Kosovë
Arsyeja e fundit e ashpërsimit të marrëdhënieve mes Gjeloshajt dhe Mandiqit ishte arrestimi i disa shtetasve malazezë në Kosovë, dy prej të cilëve ishin pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi.
Ata u arrestuan për shkak të targave me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në veturën me të cilën udhëtuan në Manastirin e Deçanit në Kosovë, më 24 nëntor.
Mandiq e vlerësoi këtë veprim të autoriteteve të Kosovës si jokorrekt dhe bëri thirrje për lirimin e të arrestuarve.
“Imagjinoni që në Mal të Zi, në Ulqin apo në Tuz, ta bëjmë atë që po bën administrata e Prishtinës me ata që përdorin simbolikën e ‘Shqipërisë së madhe’ dhe bëjnë shqiponjën”, tha Mandiq.
Tuzi, jo larg nga Podgorica, dhe Ulqini në jug të Malit të Zi, janë komuna të banuara kryesisht me shqiptarë.
Pas kësaj, Alternativa Shqiptare e Gjeloshajt e akuzoi Mandiqin për nxitje të shovinizmit në Mal të Zi dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë.
Nga kjo parti thanë, gjithashtu, se shqiptarët do të detyrohen të vetorganizohen nëse situata nuk qetësohet.
Në përgjigje të kësaj deklarate, partia e Mandiqit i bëri thirrje Prokurorisë së Lartë të Shtetit që të reagojë, në mënyrë që “Gjeloshaj të shpjegojë se çfarë do të thotë vetorganizim”.
Marash Dukaj, ministër nga partia e Gjeloshajt, u përgjigj duke thënë se shqiptarët në Mal të Zi nuk thonë se “kjo është Shqipëri”.
“Nëse dikush do të përpiqej ta bënte këtë, ne nuk do ta përkrahnim. Pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi shkuan në shtetin e Kosovës, të cilin Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht para një dekade e gjysmë, me mbishkrimin se Kosova është diçka tjetër, e jo ajo që është me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kushtetutën tonë”, tha Dukaj.
/Marre me shkurtime nga Radio Evropa e Lire