Nga Qamil Xhani
Vendimi i Gjykatës së Apelit që uli dënimin për Dritan Dajtin, të akuzuar për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në detyrë, ka vënë në pikëpyetje jo vetëm reformën në drejtësi, por edhe rolin e politikës dhe qeverisë në këtë vendim. Në vitin 2009, Dritan Dajti i shpallur në kërkim për një vrasje të kryer më parë dhe gjatë aksionit të policisë për arrestimin e tij në Durrës, vrau katër agjentë policie. Ngjarje, me të drejtë, u cilësua në atë kohë si më e rënda për forcat e rendit, pasi në një ditë Policia e Shtetit pati 4 “Dëshmor të Atdheut”. Duke llogaritur veprat e mëparshme penale dhe vrasjen e policëve, dënimi me burgim të përjetshëm shihej si i vendim i logjikshëm i çdo gjykate. Por me vendimin që së fundi nga Gjykata e Apelit të Krimëve të Rënda, duke llogaritur dhe 10 vitet në paraburgim, Dritan Dajti duhet të dalë pas pak vitesh. Shoqatat e policëve reaguan të parat duke e cilësuar këtë vendim “si vrasje të dytë për 4 Dëshmorët e Atdheut”. Në çdo vend normal, vrasja e punonjësit të rendit cilësohet si krimi më i rëndë që merr dënim maksimal. Ndërsa gjykata me vendimin e fundit ka vendosur precedentin e rrezikshëm duke mos u dhënë asnjë garanci punonjësve të rendit që përballen çdo ditë me krimin. Ky vendim, pavarësisht argumentimit të avokatëve, ngre pikëpyetjet mbi reformën në drejtësi pasi edhe pse gjyqtarët që dhanë vendimin nuk e kanë kaluar Vettingun, ekzistojnë mekanizma të institucioneve të reja që mund të kishin ndërhyrë. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Prokuroria, kishin të gjitha mundësitë që nëse shihnin shkelje ligjore gjatë këtij vendimi të reagonin në kohë dhe të merrnin masa. Nuk e bën në kohën kur duhej dhe deri dje nuk kanë pasur asnjë vendim për këtë trup gjykuese dhe kjo shton edhe me tepër dyshimet mbi reagimin e institucioneve të reja. Por pikëpyetja më e madhe në këtë vendim është reagimi i vonuar i Qeverisë dhe institucioneve të saj. Gjykata u shpreh për uljen e dënimit ditën e premte. Vetëm të dielën ministrat e kabinetit “Rama”, u kujtuan se ishin para një skandali që ka krijuar pakënaqësi jo vetëm te qytetarët, por më së shumti te trupa e rreth 12 mijë policëve që u ndjenë të tradhtuar nga shteti. Kur nuk dënohet vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës, çfarë shembulli tjetër duhet për parë dorëzimin e shtetit. Edhe ai reagim që u bë nga ministri i Brendshëm dhe ministrja e Drejtësisë, dukej si i sforcuar dhe nga halli. Para se të fliste qeveria, ambasadori i BE në Tiranë, Luci Soreca bëri një apel të fortë ku i kërkoi qeverisë marrjen e masave. Gjithashtu dhe Ambasada Amerikane indirekt duket se çoi mesazhet e duhura. Gjon Juncaj, ekspert i drejtësisë pranë Ambasadës së SHBA, në rrjetet sociale shtron pyetjen: “25 vjet ndarë me 4 = 6.5 vjet për jetën e secilit polic të vrarë. Cili nga gjyqtarët apo avokatët e Dajtit do ta shpjegojë këtë matematikë familjes së çdo viktime?”. Pas këtyre reagimeve të forta Qeveria u detyrua të dalë në deklarata ku kundërshtonte vendimin. Dje ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni në një deklaratë për mediat njoftoi se ka kërkuar hetim disiplinorë për tre gjyqtarët që hoqën dënimin me burgim të përjetshëm.
Por sipas opozitës edhe kjo lëvizje e Ministrisë së Drejtësisë është tallje me qytetarët. Sipas PD, një vendim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017 i ka shfuqizuar nenet e ligjit që parashikojnë hetim dhe masa për shkelje disiplinore ndaj statusit të gjyqtarit. Praktikisht, padia e bërë dje nga Ministria e Drejtësisë nuk ka bazë ligjore dhe qeveria vetëm ka bërë sikur e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës për Dritan Dajtin. Pas kësaj loje, Partia Demokratike thotë se fshihet bashkëpunimi i qeverisë Rama me të akuzuarin për vrasjen e policëve dhe dhënie garancie për lirimin e tij. “Në vend të propagandës së neveritshme dhe mashtrimit të pacipë të opinionit publik, Ministrja e Drejtësisë ka për detyrë të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve: Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti? Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës? ush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?”,- thuhet në reagimin e PD dhe në pyetjet drejtuar Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni.
Ndërkohë, dje nga qyteti i Lushnjes, Lulzim Basha shkoi dhe më tej në akuzat e tij, duke sulmuar direkt Edi Ramën si njeriun që po bashkëqeverisë me krimin dhe bandat. “Kemi në krye një kryeministër, një qeveri e një parlament që nuk përfaqëson votën e shqiptarëve të ndershëm, nuk përfaqëson votën e lushnjarëve, nuk përfaqëson as votën e socialistëve. Këta kanë ardhur në pushtet me bandat, prandaj qeverisin me bandat, këta e lidhën fatin e tyre politik me krimin, prandaj kanë harruar qytetarët. Ky është modeli i Edi Ramës, i cili akoma nuk ka gjetur kohën të shqiptojë dy fjalë: Dritan Dajtin dhe 4 policët e rënë në krye të detyrës”,- deklaroi dje kreu i PD-së.
Ky vendim i gjykatës ka poshtëruar krejt shoqërinë ndaj reagimi duhet me vepra ku ata gjyqtarë që firmosin uljen e dënimit për rastin në fjalë, jo vetëm duhen shkarkuar por edhe duhet t’ju kontrollohen pasuritë e penalizuar./KJ