Pas përhapjes me shpejtësi të epidemisë së koronavirusit në Italinë fqinje, kreu i opozitës Lulzim Basha i kërkon qeverisë shqiptare të marrë masa serioze dhe të menjëhershme.
Për fat të keq në Italinë fqinje janë shënuar viktimat e para nga Koronavirus ndëkohë që po rritet numri i të prekurve prej tij. I kërkoj qeverisë të marrë masa serioze dhe të menjëhershme,shkruan Basha ne Twiter.
Basha u bën thirrje autoriteteve shëndetësore të nisin kontrollet në pikat kufitare.
Çdo pikë kontrolli kufitar dhe qendër shëndetësore të pajiset pa asnjë vonesë me personelin dhe aparatet e duhura për të evidentuar dhe trajtuar në kohë çdo rast të mundshëm.
Shqipëria dyfishoi personelin e njësive shëndetësore në pikat kufitare në përpjekje për të forcuar kontrollet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura prej koronavirusit.
Masat shëndetësore u shtuan në portet detare, aeroportet dhe pikat tokësore të Shqipërisë pas lajmeve mbi praninë e koronavirusit në Italinë fqinje.
Qeveria ka ngritur një ekip të posaçëm për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen e popullatës ndaj koronavirusit të ri.
Ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore vendosën mbledhjen e sotme përforcimin e masave në pikat kufitare për të gjurmuar raste të mundshme të koronavirusit.
Ata kërkuan shtimin e mjeteve mbrojtëse personale, spitalore, laboratorike dhe shtimin e kontrolleve për të parandaluar depërtimin e koronavirusit në Shqipëri.