Për fazën finale të dialogut dhe marrëveshjen historike me Serbinë në një tryezë të përbashkët kanë diskutuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri e kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj.
Në fjalën e tij kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka thënë në sy Thaçit qëndrimin e tij kundër korrigjimi të kufijve të Republikës së Kosovës. Lideri i VV’së ka thënë që edhe po të ngriheshin dëshmorët e Kosovës nga varret nuk do të kishin të drejtë të falnin tokën e Kosovës.
“As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë drejtë të falin tokën Kosovës dhe jo më njerëzit e gjallë”, ka thënë Kurti , raporton Gazeta Express.
Ai ka thënë se viti 2018, ka qenë një vit i mos korrigjimit të kufijve, duke përmendur demarkacionin me Malin e Zi si çështje të papërfunduar, dhe mos realizimin e idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve.
Albin Kurti ndërkohë ka propozuar hartimin e një dokumenti zyrtar të Republikës së Kosovës ku i gjithë faktori politik në vend i unifikuar do të parashtronte kërkesat e shteti kundrejt Serbisë.
Sipas kreut të VV’së, Kosova duhet të jetë më e përkushtuar ndaj serbëve të Kosovës, pasi sipas tij ata janë në hall nga Beogradi.
Kurti thotë që duhet takuar më shpesh me Nenad Rashiqin, dhe shumë rrallë me Aleksander Vuçiqin./gazeta express