Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian Republikës Çeke, e cila aktualisht udhëheq me Presidencën e BE-së.
Ai atje është pritur nga ministri i Jashtëm çek, Mikuláš Bek.
Dje në një ceremoni, tre krerët e shtetit, Presidentja Osmani, Kryeparlamentari Konjufca dhe Kryeminsitri Kurti nënshkruan mbi dokumentacionin e aplikimit. Ata e cilësuan si një ditë historike e hap të rëndësishëm që duhet ndërmarrë Kosova drejt integrimit të saj europian.
Deri të anëtarësimi janë edhe tre hapa: statusi i kandidatit, negociatat e anëtarësimit dhe ratifikimi i traktatit.
Statusi i kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi. Ky status jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian. Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë.
Negociatat e anëtarësimit janë hapi i dytë. Ato nisin vetëm pasi vendi kandidat t’i përmbush kriteret politike dhe kjo mund të marrë disa vite kohë. Këto negociata fokusohen në përshtatjen e ligjeve të vendit kandidat me ligjet e BE-së. Ato përfshijnë 35 kapituj dhe janë faza më e gjatë në procesin e anëtarësimit në BE.
Traktati i ratifikimit: Pasi 35 kapitujt të mbyllen unanimisht, BE dhe vendi kandidat nënshkruajnë traktatin e pranimit. Ai më pas duhet të ratifikohet nga vendi kandidat dhe secili vend i BE-së. Dhe në fund caktohet data zyrtare e anëtarësimit kur vendi bëhet anëtar me të drejta të barabarta i BE-së.
/Argumetum.al