Pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit `81, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në bashkëbisedimin me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj në Teatrin Kombëtar, me ç`rast edhe u promovuan librat e tij: “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Vrasja e Mushkonjës”.
Më pastaj, në pyetjet e gazetarëve mbi takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në Shkup, ku u riemërtua iniciativa e Novi Sadit (e ashtuquajtur Mini-Schengen) në “Ballkani i Hapur”, kryeministri Kurti shtroi pyetjen se për çka do të jetë i hapur ky Ballkan?
Ai tha se përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën, si dhe i hapur për autokraci, oligarkë e kriminelë lufte, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Më 29 korrik, në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, që mori emërtimin e ri “Ballkani i Hapur”. Në këtë takim nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit, “Ballkani i Hapur” ka për qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.