Kryeministri Albin Kurti dha detaje për rrëmbimin e tre policëve shqiptarë në territorin e Kosovës nga njësitet speciale ushtarake të Serbisë, për çka ka thënë se është e çuditshme sesi KFOR-i nuk është deklaruar ende pavarësisht fakteve që vërtetojnë se kidnapimi ka ndodhur në territorin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tha se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët siç tha ai, rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim”, tha kryeministri Kurti.
Kreu i Ekzekutivit tha se sundimi i ligjit nuk mund të jetë special në veri të Kosovës në krahasim me pjesët tjera të vendit, ndërkohë që theksoi se janë të befasuar me tolerancën e ndërkombëtarëve ndaj agresionit të Serbisë në Kosovë.
“Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, u shpreh ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin. Ai tha se nuk është i befasuar me veprimet e Serbisë, por është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, raporton RTK
“Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Kryeministri tha se me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks në katër komunat në veri te vendit dhe brezit kufitar me Serbinë.
“Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat e tyre të fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandimet”, tha Kurti.
Kurti tha se vendi ku ka ndodhur kidnapimi i policëve të Kosovës nga policia e Serbisë është 1.3 Km brenda territorit të Kosovës, duke shtuar se në vendin e ngjarjes, policia dhe KFOR-i kanë gjetur fakte që e dëshmojnë këtë.
Ai u shpreh se rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit demokratik, hakmarrje ndaj policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohen kur tashmë është propozuar plani pesë pikësh për shtensionim dhe për normalizim.
Ai tha se institucionet e sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. “Për arsye të sigurisë si hap i menjëhershëm janë shtrënguar kontrollet kufitare më Serbinë duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, tha ai.
Kurti tha se cenimi i djeshëm nga Serbia, e detyron Kosovën të rrisë kontrollet kufitare që varësisht nga analizat e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë, mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik , apo nuk garantohet siguria.
Kurti tha se veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.
“Synimi ynë është siguria, e siguria fillon tek kufijtë. Ne edhe njëherë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve të rrëmbyer policor, dhe u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”.
Tre policë u kidnapuan të mërkurën brenda territorit të Kosovës nga policët serbë.
Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, nuk kanë bërë ndonjë reagim për rastin.
Ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë nga Kurti të ndërmerr hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri.
/Argumentum.al