Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të ri të vendit, Albin Kurtit. Ceremonia e pranim-dorëzimit është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti u votua ditën e hënë me 67 vota pro dhe 30 kundër.
Kryeministri Albin Kurti duke iu drejtuar anëtarëve të kabinetit qeveritar ka thënë se në vend ende ka krizë të madhe shëndetësore.
Ai ka thënë se duhet vepruar me urgjencë të ulen rastet dhe vdekjet e reja si rezultat i COVID-19.
Sipas tij, balancimi i tyre duhet të bëhet përmes një plani konkret. “Kërkohet punë dhe rezultate sa më të shpejta. Rezultati i këtij kabineti varet nga puna që bëni ju dhe ekipi që drejtoni. Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim çdo kohë por edhe veprim. Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime konkrete që i keni identifikuar me vite. Tash është koha që të dëshmoni para qytetarëve që në pozitat që jemi vendosur jemi meritor”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duhet vepruar shpejtë që të ndalen humbjet financiare.
“Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të përformancës, aty ku ka shkelje duhet vepruar shpejtë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti që e ka vizion të udhëheqë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se duhet përvjelë mëngët e t’i përvishen punës që i pret të gjithë.
“Në këtë javë do të takohemi në mbledhjen e punës ku menjëherë do i marrim veprimet e nevojshme siç i sheh ky kabinet i yni qeveritar”, ka thënë ai.