Në intervistën me Deutsche Welle, Albin Kurti, kryeministri i ri i pritshëm në Kosovë, flet për programin e qeverisë që Vetëvendosja është duke krijuar me LDK, dialogun me Serbinë dhe integrimin e ardhshëm me Shqipërinë.
Deutsche Welle: Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Vetëvendosja doli fituese në zgjedhjet në Kosovë, e megjithatë nuk e ka marrë ende pushtetin, sepse pret marrëveshjen e koalicionit. Cilat janë pengesat kryesore? Pse nuk përfundon krijimi i koalicionit?
Albin Kurti: Bisedimet për harmonizimin e programit qeverisës i kemi filluar prej kohësh. Që me mbarimin e zgjedhjeve të 6 tetorit kemi kontaktuar me LDK, dhe kemi filluar që të harmonizojmë programet me ekipet tona. Në këtë mënyrë kemi treguar një kulturë të re të formimit të qeverisë, ku së pari diskutohet për programin. Këtë e kemi përmbyllur në masën 100 përqind. Megjithatë, bisedimet për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv i kemi filluar vonë, pas certifikimit të rezultateve, i cili u vonua me numërime dhe rinumërime të ndryshme. Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për qeverinë. Unë jam optimist. Ka vështirësi, ka sfida, por kur ka vendosur populli më 6 tetor, ai ka bërë një lloj zgjedhjeje që nuk na ka lënë neve mundësi tjetër zgjedhjeje më tutje. Pra nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e Vetëvendosjes, në bashkëqeverisje me LDK, me mua kryeministër.
Deutsche Welle: Që të jemi pak më konkret, bëhet fjalë për postin e Presidentit, apo jo?
Albin Kurti: Është e vërtetë që kemi diskutuar për ministrat, jemi dakorduar që t’i kemi dy zëvendëskryeministra, zëvendëskryeministri i parë nga LDK, zëvendëskryeministri i dytë nga Vetëvendosja. Jemi dakorduar që t’i kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave. Kësisoj kemi gjithsej dymbëdhjetë ministra. Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, por kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post. Por, ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin. Ju e dini që në Kushtetutën tonë thuhet që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, pra nuk është një çështje e thjeshtë. Është e vërtetë që ka vështirësi, por besoj se me mirëbesim të ndërsjelltë dhe sidomos me dëshirën e madhe për ndryshime në Kosovë do ta tejkalojmë edhe këtë në ditët në vijim.
Albin Kurti në bisedë me Adelheid Feilcke
Deutsche Welle: Le të mos flasim vetëm për politikanët, por të flasim edhe për programin. Megjithëse nuk është krijuar ende qeveria, ju shpesh udhëtoni në Gjermani dhe me sa duket kanë filluar bisedime politike në Gjermani dhe në vende të tjera. Cilat janë kërkesat kryesore të Gjermanisë për qeverinë e ardhshme?
Albin Kurti: Me Gjermaninë kemi edhe një lidhje shtesë për faktin se atje kemi një diasporë gjysmëmilionëshe, e cila përbën pjesën më të madhe të reminitancave tek ne. Gjermania është motori ekonomik i Bashkimit Europian. Përveç kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës i ka raportet me CDU (kristiandemokratët), ndërsa ne i kemi me SPD (socialdemokratët), e dihet se këto të dy parti në Gjermani janë në koalicion. Prandaj sa herë unë shkoj atje takoj edhe diplomatët e zyrtarët shtetërorë, takoj edhe deputetët e SPD, ku së fundi mora pjesë edhe në Kongresin e tyre. Por, takoj edhe deputetë të CDU dhe CSU (kristiansocialë). Sepse në mandatin tonë, në legjislaturën e shtatë si qeveri e re, duam t’i zgjerojmë edhe t’i thellojmë marrëdhëniet me Gjermaninë. Aty diskutojmë dy çështje kryesore. Çështja e parë janë reformat e brendshme në Kosovë, si të nxirret shteti i Kosovës nga kriza, si të zbutet papunësia dhe varfëria, si të luftohet krimi dhe korrupsioni…
Deutsche Welle: Cilat janë konceptet tuaja në këto çështje?
Albin Kurti: Ata janë shumë optimistë për programet dhe zotimet tona. Ne duam një reformë të pesëfishtë, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në arsim, në shëndetësi dhe reformë në siguri. Reforma në drejtësi dhe reforma në siguri do të bëhet nëpërmjet një procesi vettingu, sepse shoshitja duhet të ngjajë jo vetëm tek prokurorët dhe gjykatësit, por edhe tek pozicione të veçanta dhe në rangjet e larta të inteligjencës dhe policisë. Duam që ta marrim sistemin ekonomik dual, edukativ siç është në Gjermani, por edhe në Zvicër dhe Austri, ku studentët dhe nxënësit kalojnë disa ditë në shkolla e fakultete dhe një ose dy ditë në ndërmarrje. Duam që të kemi investime të huaja duke filluar me investimet nga diaspora, sepse vështirë të kemi investime të huaja kur nuk investon as diaspora jonë për shkak të korrupsionit në Kosovë. Dhe mbi të gjitha do ta ndalojmë korrupsionin në qeveri, dhe do ta luftojmë kudo në institucione dhe në shoqëri.
Deutsche Welle: Nuk besoj se në këtë fushë ka ndonjë mosmarrëveshje midis jush, LDK dhe palës gjermane. Por nuk e di për fushën e dytë, për të cilën nuk keni folur ende. Besoj se fusha e dytë është politika e jashtme e Kosovës. Ku është pika më e vështirë këtu, sepse dihet që pozicioni i Gjermanisë është për vazhdimin e dialogut, sa më shpejt, dhe me heqjen e taksave. Çfarë kërkohet prej jush nga pala gjermane në këtë rast?
Albin Kurti: Është e vërtetë që fusha e dytë e bisedimit është raporti ynë me Serbinë dhe raportet midis shteteve në Ballkanin Perëndimor. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi dakord me LDK dhe me partnerët tanë gjermanë dhe europianë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, sa më parë aq më mirë. Por e dimë që nuk do të ndodhë së shpejti. Ne nuk shkojmë si shtet në Bashkimin Europian, por e ndërtojmë Europën brenda nesh, prej nesh. Kemi edhe traditë, kulturë e histori, por kemi edhe kapacitete njerëzore të tjera për këtë gjë. Sa i përket raporteve me Serbinë, ne jemi dakorduar që kemi nevojë të takohemi me pasardhësin e zonjës Mogherini, me Josep Borrell, përfaqësuesin e lartë europian përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë, për të diskutuar përgatitjen e dialogut të ardhshëm me parime të qarta dhe të sakta. Ne nuk mund të dështojmë sërish. Ai ka paralajmëruar tanimë, se vizitën e parë do e ketë në Kosovë dhe unë pres që ta takoj atë kur të jem kryeministër. Në anën tjetër kemi 33 marrëveshje me Serbinë gjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011- 2017, dhe është e rëndësishme që ato t’ i shqyrtojmë, jo për t’u obsesionuar me to e për të humbur kohë, por për të ditur shkallën e zbatimit dhe të ndikimit, në mënyrë që të nxjerrim mësime për të ecur përpara. Dhe me LDK po ashtu jemi dakord që ta zëvendësojmë tarifën 100 përqind me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, siç është aprovuar në rezolutën e Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor të vitit 2011.
Deutsche Welle: Domethënë vendoset recipriciteti dhe pastaj hiqen tarifat?
Albin Kurti: Së pari është reciprociteti, por le të mos harrojmë që edhe faktorët ndërkombëtarë, ambasadortë e Quintit në Kosovë i kanë vënë gjithashtu kushte Serbisë, që të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe pjesëmarrjes së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Pra edhe faktorët ndërkombëtarë nuk e shohin heqjen e tarifës pa një shprehje të vullnetit të mirë dhe pa një ndryshim në sjelljen e Serbisë. Ndërkohë që kemi ca hapa negativë në Beograd, sepse atje kreu i shtetit është deklaruar, se nuk do ta lejojë Kosovën që të hyjë në UNESCO. Nga ana tjetër ka dallime të qarta jo vetëm sa i përket vlerave por edhe sa i përket fakteve. Është mospajtim i thellë, përderisa ne e kemi të qartë qëndrimin karshi Rusisë, Serbia thotë edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Europian. Ne nuk kemi kësi dilemash. Nuk dëshirojmë që siç themi ne shqiptarët, të hamë me dy lugë.
Deutsche Welle: Por një faktor nuk e keni përmendur ende. Amerikën. Ambasadori Grenell në Berlin është një nga personat me të cilin jeni takuar. Cili është mesazhi, apo kërkesa e SHBA për qeverinë e ardhshme?
Albin Kurti: Unë jam në kontakte të rregullta me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili është një ambasador aktiv, i cili është angazhuar shumë për emancipimin shoqëror e institucional kundër korrupsionit në Kosovë. Po ashtu kam takime të shpeshta me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin jam takuar për herë të parë 22 vjet më parë në SHBA dhe së fundi kam takuar edhe ambasadorin amerikan në Berlin, zotin Grenell i cili është caktuar si përfaqësues special i Presidentit Trump. Pra kemi bashkëbisedim në disa nivele. Nganjëherë mund të duket se ka dallime, por nganjëherë vëren njeriu edhe kompletaritet, për plotësim. Unë shpreh të qartë qëndrimin tonë.
Gjithashtu e kam kuptuar qëndrimin e zotit Grenell, i cili thotë që ky vend ka nevojë për investime ekonomike dhe investimet ekonomike kanë nevojë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e mohoj një gjë të tillë. Por, nga ana tjetër besoj se nuk duhet të ngutemi e të dështojmë sërish. Sepse kemi pasur shumë dështime në dialogun e deritanishëm. Dhe në bazë të studimeve që janë bërë në Kosovë theksohen tre faktorë shtesë pse nuk ka investime ekonomike: varfëria e popullsisë, pra kërkesa e ulët agregate apo fuqia e dobët blerëse e popullsisë, e dyta është qasja e vështirë në financa për shkak të kamatave të larta të kredive bankare për bizneset tona, dhe e treta është korrupsioni në institucione. Sipas disa raporteve jo vetëm ndërkombëtare, por edhe vendore Kosova është një vend ku ka elementë të kapjes së shtetit, që do të thotë se jo vetëm që kemi korrupsion në institucione por kemi edhe institucione në korrupsion. Neve na duhet që t’i rregullojmë këto për të patur investime, sepse nuk ka garanci se një marrëveshje me Serbinë, e ngutshme, shpërblehet sepse sjell investime.
Deutsche Welle: A pajtoheni me mendimin se duhet të arrihet një kompromis sa më shpejt, dhe duhet konsensus, dhe siç është biseduar shpesh veçanërisht nga përfaqësuesit amerikanë, duhet të ketë ndoshta edhe një kompromis me marrëveshje të reja, apo ndryshime të kufijve, si një kompromis që i bëhet Serbisë për të hyrë në dialog dhe për të pranuar Kosovën si shtet të pavarur?
Albin Kurti: Në fillim të viteve 90-të në një intervistë për mediat gjermane dhe në një intervistë për mediat franceze ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka deklaruar se “Pavarësia është kompromis”. Pas përfundimit të luftës kemi pasur kompromis me kompromis Planin e Ahtisarit, i cili ka shumë defekte që na pengojnë edhe sot në shtet-ndërtimin demokratik. Tani Serbia kërkon kompromis të ri. Kjo është ajo taktika, që merr çfarë mund të merret, ngel i pakënaqur që të marrësh edhe më shumë së shpejti…
Deutsche Welle: Atëherë me ju nuk ka kompromis për kufijtë…
Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës. Kosova i ka kufijtë e vet. Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës Jugosllave. Në këto kufi na kanë njohur rreth 110 shtete, përfshirë edhe SHBA dhe Gjermania dhe ne nuk kemi tokë për t’i dhënë Serbisë. Principi i marrëveshjes së ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vajtimi i Serbisë për Kosovën e humbur, me ç’rast ajo duhet të ngushëllohet me një kompesim territorial, por duhet të vihet në spikamë jeta e qytetarëve, nevojat praktike, të drejtat njerëzore dhe vuajtjet që kemi pësuar pikërisht nga një shtet si Serbia, që nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj. Ne nuk kemi dilema. SHBA janë aleati ynë i pazëvendësueshëm. Menjëherë aty, është Gjermania. Ne nuk do ta zëvendësojmë asnjëherë Gjermaninë me Rusinë, e siç mund të ketë menduar edhe dikush tjetër që është angazhuar në tezën e gabueshme, të dëmshme, dhe fort të rrezikshme të shkëmbimit territorial.
Albin Kurti
Deutsche Welle: Por, nga ana tjetër kur flasim për ndryshimin e kufijve, në mediat gjermane dhe perëndimore ju shpesh jeni personi që i vini në pikëpyetje kufijtë duke folur për bashkimin e trojeve shqiptare si ultranacionalist. Kjo shpesh po përmendet në mediat e Gjermanisë dhe të Europës. A qëndron akoma kjo si formulë e Vetëvendosjes? A duhet menduar për bashkimin e trojeve shqiptare, apo mbeteni tek “Kosova i ka kufijtë e përcaktuar dhe ato nuk ndryshojnë”?
Albin Kurti: Ne nuk e shohim kufirin karshi Serbisë njësoj si kufirin karshi Shqipërisë. Sepse ne nuk kemi si t’i barazojmë Shqipërinë dhe Serbinë. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi shqiptar, është kufi i Serbisë dhe i Jugosllavisë. Në mandatin tonë qeverisës ne do të përqëndrohemi në dy prioritete: në punësim dhe në drejtësi. Sepse ne duhet të arrijmë së pari që shteti i Kosovës të ketë sukses. Afrimin, integrimin e bashkimin një ditë dikur në të ardhmen me Shqipërinë unë nuk e shoh nëpërmjet dështimit të shtetit të Kosovës, por nëpërmjet suksesit. Ne duhet të bëjmë së pari që ky shtet të ketë sukses. Dhe populli shqiptar i ka ende traumat e Konferencës së Londrës së viti 1913, kur ministri i Jashtëm britanik i asaj kohe, sir Edward Grey pati thënë: “Ia bëmë një padrejtësi të madhe shqiptarëve për të ruajtur paqen në Europë”. Por pa kaluar viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Afrimi, integrimi, bashkimi me Shqipërinë ne nuk e shohim kurrsesi me mjete jopaqësore dhe me mjete jodemokratike, dhe me mjete jokushtetuese. Por po e them që kjo nuk mund të bëhet së shpejti, me të ardhur unë në zyrën e re të kryeministrit. Së pari duhet të ngremë shtetin e Kosovës, ku përqëndrimi ynë do të jetë tek ekonomia dhe drejtësia. Një ndër prioritetet do të jetë edhe dialogu parimor me Serbinë, por ky nuk do të jetë prioriteti kryesor. Prioritetet kryesore do të jenë drejtësia dhe punësimi.
Deutsche Welle: Me këtë formulë akordoheni edhe me partnerët tuaj në SPD dhe vendet e tjera të Europës?
Albin Kurti: Padyshim. Ata na kanë përkrahur neve edhe në fushatë, sidomos dy deputetë kanë qenë fort aktiv gjatë fushatës sonë, Stefan Schwartz dhe Josip Juratovic. I falenderoj me këtë rast…
Deutsche Welle: Pyetja e fundit. A do të dalë Vetëvendosja në garë kur bëhet fjalë për fushatën e ashpër elektorale në Shqipëri?
Albin Kurti: Aktivistët tanë në Tiranë kanë qendrën e tyre që ka emrin “Lëvizja Vetëvendosje”, por kanë autonominë e qëndrimeve dhe të veprimeve dhe të vendimeve. Besoj që emri Vetëvendosje është shumë demokratik, sepse vjen prej poshtë jo nga lart dhe është e kundërta e shkëmbimeve territoriale që vijnë nga lart, prej krerëve që silleshin në mënyrë monarkike. Vetëvendosja në Tiranë ka për qëllim që të ndërgjegjësojë dhe organizoj sa më shumë popullin atje për aktivitete në frymën e lëvizjes, por jo duke marrë direktiva nga Prishtina.