Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se diplomatët perëndimorë e kanë paralajmëruar atë në muajin janar se çfarëdo refuzimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, do të shoqërohej me hapa ndëshkues për Kosovën.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin e Kosovës të ftuar nga Partia Demokratike e Kosovës mbi zhvillimet në procesin e bisedimeve me Serbinë.
“Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose lëre, nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negociimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova, sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijoj dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se qëndrimi i tij në takimin me të dërguarit ameirkanë dhe evropianë më 20 janar në Prishtinë ishte që propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë “elemente garantuese dhe siguresa të efektivitetit”.
“Pas vizitës së lehtësuesit Lajçak me gjashtë shkurt 2023 dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të planit të zbatimit, unë ia konfirmova që propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negociimi i planit të zbatimit, i cili do të duhej të përfshijë elemente që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në propozimin kryesor”, tha kryeministri Kurti.
Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se aktualisht ka shumë paqartësi lidhur me propozimin evropian të cilave do të duhej t’u përgjigjej kryeministri Kurti.
“Cili është qëllimi i propozimit evropian, a ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për palët apo vetëm krijimin e një status quo-je të re e cila zëvendëson status quo-në aktuale? A është ky propozim vazhdimësi e dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është konrniza kohore për arritjen ose mosarritjen e marrëveshjes së mundshme?”, tha zoti Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se deklaratat e kryeministrit Kurti janë kundërthënëse.
“Tha është dokument merre ose lëre dhe që njëkohësisht e ka pranuar si bazë të mirë, tani nuk mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është merre ose lëre, ose është bazë përfundimtare pra është fund ose është bazë fillestare pra nisë nga dicka. E dyta, shpërputhja më e madhe dhe logjike është mes refuzimit që provon të ia bëjë Asociacionit dhe pranimit brenda draftit që na elaboroi, e që nuk e kemi parë asnjëri nga ne, të respektimit të marrëveshjeve paraprake. Pra respektimi i marrëveshjeve paraprake në thelb është pranim i Asociacionit”, tha ai.
Krahas përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi Kosovën që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pika më e vështirë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe shqetësimi kryesor i qeverisë në Prishtinë e cila thekson se kjo çështje nuk mund të kushtëzojë procesin dhe as të trajtohet me përparësi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se plani evropian ka mbështetjen e partisë së tij për shkak të garancive që ka marrë lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Kemi konfirmim direkt dhe nuk besoj që është dikush në këtë sallë që nuk e ka marrë atë konfirmim, që menjëherë me këtë marrëveshje, konfirmimin e kemi prej atyre që nuk japin fjalë të cilat nuk e kanë në plan t’i mbajnë, pra prej Amerikës prej amerikanëve e kemi konfirmimin që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe rrugëtimin tonë drejt NATO-s, që është një proces deri te ftesa për anëtarësim”, tha zoti Haradinaj.
Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje, ndërsa thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.
Propozimi evropian, nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.
Kryeministri Kurti tha se propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të modeleve të tjera të ngjashme të njohjeve de facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore.