Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar një opinion për Gazetën e përditshme amerikane “The New York Times” në prag të samitit të NATO-s që mbahet javën që vjen në Washington D.C. në 75-vjetorin e themelimit të aleancës Euro-Atlantike.
Nga Albin Kurti
Kryeministër i Kosovës
Disa në Shtetet e Bashkuara kanë minimizuar rëndësinë e NATO-s. Shumë partnerë evropianë shqetësohen se pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA në nëntor, përkushtimi amerikan ndaj aleancës do të zbehet. Por ndërsa NATO përgatitet për fillimin e samitit të saj në Uashington të martën, duke shënuar 75 vjet nga themelimi i saj, unë do të doja t’i rikujtoja botës se si NATO është gdhendur në identitetin kulturor dhe politik të një vendi në Evropë: vendit tim, Kosovës.
Në vitin 1999, një fushatë e pamëshirshme serbe e drejtuar nga udhëheqësi serb dhe presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq solli masakra, përdhunime dhe dëbimin e rreth gjysmës së popullatës shumicë shqiptare të Kosovës. Ishte një katastrofë humanitare. Bombardimet e vazhdueshme ajrore të NATO-s ndaj forcave dhe pozicioneve serbe i dhanë fund tmerrit. Aleanca dërgoi gati 50,000 trupa menjëherë më pas.
Kush nga populli im mund ta harronte pamjen e ushtarëve të NATO-s që brohoriteshin teksa mbërritën? Gjatë 25 vjetëve të fundit, ndërsa NATO ndihmoi në çlirimin e Kosovës dhe mirëmbajti paqen, ne ndërtuam demokracinë për ta mbështetur paqen nga brenda. Ne shpallëm pavarësinë tonë në 2008, një ide që do të rezonojë me amerikanët që sapo festuan Ditën e Pavarësisë së tyre. Pjesa më e madhe e botës e njeh tani shtetin e njohur si Kosovo në gjuhën angleze, edhe pse unë preferoj drejtshkrimin shqip, Kosova.
Nuk kishte dyshim për ne, duke pasur parasysh kujtimet e freskëta të gjenocidit në Ruandë dhe Bosnje, se situata në Kosovë do të ishte përkeqësuar me shpejtësi pa NATO-n. Si kosovar, është e dhimbshme edhe të imagjinosh se sa më keq mund të ishte bërë.
Që nga fillimi, ndërhyrja e NATO-s ishte humanitare. Por një ndërhyrje humanitare u shërben gjithashtu interesave kombëtare, sado që ne do të donim t’i konsideronim ato si të dallueshme. Paqja në Evropë dhe ndalimi i vuajtjeve njerëzore u shërbenin interesave kombëtare të anëtarëve të NATO-s. Konflikti në Ballkan rrit rrezikun e përhapjes në Evropën Perëndimore, jo vetëm përmes krizave të refugjatëve, por edhe duke tërhequr lojtarë të huaj në këtë kufi historikisht të rëndësishëm gjeopolitik, që e kërcënojnë sigurinë e Evropës.
NATO nuk është një entitet abstrakt që vepron më vete. Ajo kërkon vullnet politik. Në rastin e Kosovës, ne kishim vullnetin politik të shumë fuqive të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, fuqinë më të madhe ushtarake të NATO-s. Sekretarja e Shtetit Madllën Ollbrajt e njihte rajonin dhe tmerret e luftërave evropiane. Pavarësisht se lidhet ngushtë me administratën e Klintonit, ndërhyrja ishte dypartiake. Në Kongres, senatori Bob Doll, një republikan, ishte një përkrahës i fortë.
Ndërhyrja ushtarake duhet të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit, dhe në Kosovë ishte. Takimet e nivelit të lartë dështuan vazhdimisht, duke përfshirë bisedimet në Kështjellën e Rambujesë në Francë ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë dhe zyrtarëve amerikanë, evropianë dhe rusë. Diplomacia ishte shteruar ndërkohë që vriteshin njerëz. Lufta në Kosovë ishte e katërta që Millosheviqi kishte bërë në ish-Jugosllavi.
Përmasat e mizorisë kërkonin një përgjigje të fuqishme. Pas 78 ditë bombardimi ajror, sulmi më i madh ushtarak i aleancës që nga themelimi i saj në vitin 1949, forcat e armatosura serbe u tërhoqën. NATO qëndroi në Kosovë dhe kthimi i refugjatëve pasoi nën administrimin dhe mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Prania e NATO-s siguroi paqen dhe na lejoi të rindërtojmë. Trupat e mbronin kufirin tonë, por gjithashtu na ndihmuan të mbrohemi vetë, përfshirë këtu edhe përmes ndërtimit të ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës. Misioni fillestar u nda midis Francës në veri, Italisë në perëndim, Gjermanisë në jug dhe Shteteve të Bashkuara në lindje, me Mbretërinë e Bashkuar në lindjen qendrore. Me kalimin e viteve, ndërsa stabiliteti ynë u rrit, NATO reduktoi në mënyrë drastike trupat e saj nga 50,000 sa ishin në fillim në disa mijëra.
Perëndimi duhet të jetë krenar për këtë arritje. Kosova tani njihet si demokracia e renditur më së larti në Ballkanin Perëndimor. Ky transformim nuk ishte vetëm vepër e NATO-s; kërkoi përpjekje nga shumë palë dhe, më së rëndësishmi, kërkoi vendosmërinë e popullit të Kosovës që u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri të mundur këtë realitet dhe nuk është rastësi që lufta në Ukrainë shënon luftën e parë të madhe evropiane në mbi 100 vjet në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë përfshirë. Paqja është punë e rëndë dhe dinamike – ajo duhet të mirëmbahet vazhdimisht.
Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në shtator, trupat paraushtarake serbe të armatosura rëndë, të cilat besojmë se erdhën nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës të cilën qeveria e ShBA-së e quajti një përpjekje të mirë organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i kritikuar nga Shtetet e Bashkuara si “destabilizues”. Vitin e kaluar NATO rriti trupat e saj nga 3,770 në rreth 4,500 mes kërcënimeve në rritje për paqen.
Edhe sfidat politike janë ende të pranishme. Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, një ish-ministër i propagandës nën Millosheviqin, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi një kthim në politikën autoritare, etnonacionaliste të Millosheviqit, veçanërisht të llojit ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi jetën veçanërisht serbëve etnikë në Kosovë. Atyre iu desh të ushtrojnë rolin e tyre si pakicë në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93% shqiptarë etnikë dhe 7%të përbërë nga pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri nga serbët etnikë që t’u bashkohen institucioneve dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në vend.
Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë si dhe Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë një kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveç shpërqendrimit të botës nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën z. Vuçiq, Serbia ka bërë investime të mëdha në sektorin ushtarak dhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Një raport i vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së arriti në përfundimin se “Serbia ofron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.” Kosova, në anën tjetër, nuk mund të siguronte një mjedis më pak të pranueshëm. Ne kemi mbetur fuqishëm pro-perëndimorë.
Një çerek shekulli pas ndërhyrjes së saj, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata është më vendimtare se kurrë. Sukseset në vend tregojnë se demokracia dhe mbështetja institucionale që ajo ndihmoi të krijohen, së bashku me kërcënimet e jashtme që parandaloi, ruajtën me sukses paqen. Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, ne po përballemi sërish me luftë dhe kërcënime për luftë në Evropë. Këtu, paqja ruhet vetëm nga aftësia jonë për ta mbrojtur atë kur sfidohet drejtpërdrejt, dhe rreziku i një sfide të tillë është më real se kurrë.
/Argumentum.al