Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo i treti banor i Kosovës ka qasje të vështirë në kujdesin shëndetësor, kurse çdo i pesti nuk kërkon shërbime edhe në rast të sëmundjes, për shkaqe ekonomike.
“Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është katërfish më e lartë sesa mesatarja në Bashkimin Evropian. Çdo i nënti fëmijë në Kosovë punon, ndërkaq vetëm çdo e teta grua ka një vend pune. Kosova i ka 34 ligje për mbrojtje sociale por pak zbatohen. Shteti ynë nuk vuan nga ligjet e këqija sa nga pushteti i keq dhe institucionet e dobëta. Investimet në ekonomi zhvillimore kanë rënë, gjersa korrupsioni nëpër ndërmarrje publike është rritur”, ka thënë Kurti.
Tutje i njëjti ka shtuar se institucionet e shtetit janë përgjigja për nevojat e shoqërisë dhe të drejtat e qytetarëve, e jo shans për interesat private dhe partiake.
“Ndryshimi tashmë nuk është zgjedhje, por nevojë jetike. Andaj, zgjedhjet e reja janë aq shumë të nevojshme”, përfundoi Kurti./gazetaexpres