Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim mëngjesin e së martës, liderët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri.
Takimi po zhvillohet në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, ku ftesës së Kurtit, i është përgjigjur pozitivisht Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikum, Veton Surroi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Por si duket ende pa filluar mirë takimi i kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive opozitare, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka braktisur atë.
Kryetari i partisë së tretë opozitare në vend, Ramush Haradinaj i AAK-së, me një status të shkurtër në Facebook, shpjegoi arsyen e largimit të tij.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin”, shkroi Haradinaj.
“…Sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”.
Haradinaj deklaroi se një veprim i tillë për të është i papranueshëm.
“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”.
Në Mitrovicën e Veriut, të dielën, është mbajtur një protestë e thirrur nga Lista Serbe për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS, Republika e Kosovës.
Kjo protestë u mbajt një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
/Argumentum.al