Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti është i pakënaqur me marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës.
Në një intervistë për emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, Z. Kurti foli edhe per pengesat fizike mes dy vendeve, duke përmbendur taksën në “Rrugën e Kombit”.
“Taksa në Rrugën e Kombit është gabim. Ne pa e hequr ende këtë kufij, e vumë edhe një tjetër, për të cilin duhet ta fusim dorën në xhep.
Ky lloj dyfishimi plus me pagesë është indinjues, përveçse dëmtues. Mbase si qeveri e re duhet të fillojmë bisedimet me qeverinë e Shqipërisë, që kjo të mos vazhdoj kështu, aq më tepër kur dihet se nuk është duke përfituar shteti, se sa është duke përfituar një privat”, u shpreh Albin Kurti në RTSH.
Kryetari i “Vetevendosjes” foli edhe për degën e kësaj partie në Tiranë, duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria duhet të kishte bër më shumë për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijëve të saj.
“Ata kanë për synim që ta emancipojnë shtetin shqiptar për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Shqipëria ka obligim ndaj këtyre shqiparëve që i ka rrotull dhe unë besoj se ka shumë më tepër mundësi dhe obligim se sa realizim”, tha Albin Kurti në “Përballë”.