Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo. Kurti i ka njoftuar ata për heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, duke treguar procesin e heqjes së tarifës. Ai po ashtu i ka njoftuar se dialogun e Kosovës me Serbinë do ta udhëheq vetë ai si kryeministër i Kosovës
Në letrën e shkruar për Trump, Kurti ka shkruar se po e njofton atë për programin qeverisës dhe për qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Kurti e ka falënderuar presidentin e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qendrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan”, i ka shkruar Kurti Trumpit.
Ndërkaq ai ka përmendur edhe heqjen e tarifave ndaj mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke shpjeguar procesin e heqjes së tarifës.
“Së këndejmi, duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë seveprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës. Ne poashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka theksuar në letrën e tij se dialogun me Serbinë do ta udhëheq ai, si kryeministër i Kosovës.