Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se prej sot nis zvogëlimi për 25% i trupave të Policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri. Ai premtoi se nuk do të ketë reduktim të përmenjëhershëm, por gradual e proporcional.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës do ta zvogëlojë për 25 për qind prezencën e saj vetëm afër ndërtesave komunale në veri, dhe jo në pjesën tjetër të vendit.
“Zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, ka thënë Kurti në një postim në Facebook.
Sikurse Kurti, edhe Policia e Kosovës, kanë thënë se zvogëlimi i prezencës do të nisë prej 4 gushtit, pasi situata e sigurisë është vlerësuar e qetë, në një takim me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe pjesëtarë të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
“Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme”.
EULEX-i i ka thënë Radios Evropa e Lirë se e ka vërejtur zvogëlimin e prezencës së Policisë së Kosovës te ndërtesat komunale dhe situatën e sigurisë e ka konsideruar si pozitive.
Zvogëlimi i prezencës së policisë është një prej pikave të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian më 10 korrik, për shtensionim të situatës në veri.
Tensionet janë rritur atje prej fundit të majit, pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.
Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.
Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Kurti ka thënë se Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen me seriozitet.
“Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”.