Përfaqësuesit e e zhvendosën sot protestën e tyre para Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion teksa kërkuan që të ndërpriten punimet tek teatri deri në përfundim të hetimeve.
Përveç dy kallëzimeve të bëra më herët për prishjen Teatrit Kombëtar, ata paralajmëruan se në ditet ëe vijim do të depozitojnë kallëzime të tjera për kryetarin e bashkisë, ministrin e brendshëm, ministren dhe ish-ministren e Kulturës.
Në fjalën e tij para mediave, regjisori Robert Budina i bëri thirrje prokurorëve të SPAK që të veprojnë shpejt me hetimet për shembjen e godinës së teatrit, duke u bërë të parët siç tha, të parët që të japin shkëndijën e shpresës tek njerëzi.
“Bëhuni ju të parët që jepni shkëndijën e shpresës që njerëzit të fillojnë të lëvizin në të gjitha drejtimet dhe të kontribuojnë për drejtësinë. Nëse ju fshihni kriminelët, më vjen keq, por do ketë një përgjigje mbarëpopullore.
Ne do jua themi me mjaft këmbëngulje që jemi të vendosur ta çojmë deri në fund betejën tonë pa kompromise, sepse e kemi provuar në kurriz. Nuk kemi ndërmend as të bëjmë ndonjë forcë politike, as të përfitojmë. Duam të fusim strukturën shoqërore në funksion, që të fillojnë të ndryshojnë gjërat në Shqipëri”, tha z. Budina.
Kjo është protesta e tretë që organizon Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që pas shembjes së tij, ndërkohë që pas protestës së zhvilluar dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët kanë firmosur një peticion, ku kërkohet rindërtimi i godinës së Teatrit Kombëtar në vendin ku ishte dhe siç ishte.
Godina e Teatrit Kombëtar u shemb me vendim të Bashkisë së Tiranës në orët e para të 17 majit, pavarësisht rezistencës së artistëve dhe një grupi qytetarësh. Gjatë protestës atë ditë, policia shoqëroi me dhjetëra pjesëmarrës.