Qeveria e re e Serbisë do të përfshijë ish-shefin e zbulimit Aleksandar Vulin, një politikan që mbështet lidhjet e ngushta me Rusinë, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur non-grata. Njoftimi u bë të martën nga kryeministri i mandatuar për formimin e qeverisë së re, Millosh Vuçeviç.
Aleksandar Vulin do të shërbejë si një prej disa zëvendëskryeministrave, tha Millosh Vuçeviç, ndërsa njoftoi përbërjen e kabinetit të tij të ardhshëm, që pritet të votohet në parlament në ditët në vijim.
Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.
Përfshirja e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re sugjeron forcimin e lidhjeve me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur zyrtarisht pro-Bashkimit Evropian nga Serbia.
Partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë tha se me përfshirjen e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.
Partia Liberale tha se emërimi i tij paralajmëron “izolimin ndërkombëtar, konflikte në rajon, lidhje me Rusinë si dhe goditje për të gjitha liritë civile në vendin tonë”.
Në korrik, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.
Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se ai ka përdorur postin e tij, për të ndihmuar një tregtar serb armësh, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, që të transportonte dërgesa të paligjshme armësh, përtej kufijve të Serbisë. Autoritetet amerikane e akuzojnë Aleksandar Vulinin për përfshirje në një rrjet trafiku droge.
Aleksandar Vulin dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë serbe së Zbulimit (BIA) pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Ai kishte shërbyer më parë edhe në detyrën e shefit të ushtrisë dhe policisë.
Së fundmi ai ka marrë dy medalje nderi nga Rusia, njërën prej Shërbimit Federal të Sigurisë ruse dhe tjetrën nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Millosh Vuçeviç, i emëruar për postin e kryeministrit, ka shërbyer më parë si ministër i Mbrojtjes i Serbisë.
Emërimi i tij erdhi pas një procesi të tensionuar zgjedhor në muajin dhjetor, ku partia e djathtë populiste në pushtet e Presidentit Aleksandar Vuçiç fitoi shumicën e vendeve në parlamentin prej 250 anëtarësh.
Zgjedhjet nxitën tensione politike për shkak të njoftimeve për parregullsi në masë, të raportuara nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Pas zgjedhjeve opozita organizoi protesta.
Mandati për përbërjen e qeverisë së re, Millosh Vuçeviq, lexoi emrat që do të propozohen për ministra në qeverinë e re. Në kabinet do të jenë 31 persona, nga të cilët tetë janë të rinj.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Financave: Siniša Mali
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme: Ivica Daçiq
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Mjedisit: Irena Vujovic
Zëvendëskryeministri: Aleksandar Vulin
Ministri i Mbrojtjes: Bratislav Gashiq
Ministri i Punëve të Jashtme: Marko Gjuriq
Ministri i Shëndetësisë: Zlatibor Lonçar
Ministri i tregtisë së brendshme dhe të jashtme: Tomislav Momiroviq
Ministri i Ndërtimit: Goran Vesiq
Ministre e Minierave dhe Energjetikës: Dubravka Đedović Handanović
Ministre për Çështje Familjare: Milica Gjurgjeviq Stamenkovski
Ministër i Kulturës: Nikolla Selakoviq
Ministri për Investime Publike: Darko Glishiq
Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale: Jelena Žarić Kovaçeviq
Ministre e Drejtësisë: Maja Popoviq
Ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave: Tomislav Žigmanov
Ministre për Integrime Evropiane: Tanja Miščević
Ministre e Arsimit: Sllavica Gjukiq Dejanoviq
Ministri i Bujqësisë: Aleksandar Martinoviq
Ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale: Nemanja Staroviq
Ministri i Sportit: Zoran Gajiq
Ministri i Informacionit: Dejan Ristiq
Ministër për kujdesin ndaj fshatit: Milan Krkobabić
Ministre e Shkencës: Jelena Begoviq
Ministri i Turizmit: Husein Memic
Ministre e Ekonomisë: Adriana Mesareviq
Ministrat pa portofol: Novica Tonçev, Gjorgje Miliçeviq, Usame Zukorliq, Nenad Popoviq dhe Tatjana Macura
Afati i fundit për zgjedhjen e qeverisë së re është 6 maji
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë se pret që për dy ditë të formohet Qeveria e ardhshme e Serbisë dhe se ajo do të përbëhet nga rreth 33 deri në 35 për qind njerëz krejtësisht të rinj. Ai shtoi se në qeveri do të ketë persona që nuk kanë qenë në pozita ministrore, por janë të njohur nga më parë dhe do të ketë edhe nga ata që kanë bërë punë të mirë në periudhën paraprake.
“Unë besoj se ata do të mund të mbajnë kursin e Serbisë, e cila është një vend i pavarur, sovran, serioz dhe i përgjegjshëm, që mbron interesat e tij shtetërore dhe kombëtare dhe që nuk do të grindet me miqtë tanë tradicionalë, por që do të bashkëpunojë me ta. në mënyrën më të mirë”, tha ai. është Vuçiq.
/Argumentum.al