Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Korrupsionit, shpallën të hënën 10 kampionët e botës në luftën kundër korrupsionit.
Në ceremoninë e zhvilluar në Departamentin Amerikan të Shtetit, ishte Sekretari Amerikan i Shtetit,Antony Blinken që shpalli kampionët kundër korrupsionit nga e gjithë bota, si pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë përparësi antikorrupsionit.
“Ne sot vlerësojmë 10 nga figurat më të rëndësishëm që kanë dhënën një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit dhe ky vlerësim është një shenjë mirënjohje dhe shenjë mbështetje për ata”, tha Blinken.
“Në e dimë që në momentin që qeveritarët bëjnë korrupsion, qytetarët humbin besimin te qeveria dhe krijohen edhe kushte për kriminelët dhe terroristët që të jenë më aktivë. Ndaj ne kemi dhënë mbështetje të jashtëzakonshme për të trajnuar për të dhënë ndihmën e nevojshme për këto vende që kanë probleme”, shtoi ai.
Blinken tha se Altin Dumani, Kreu i SPAK, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit dhe është një prej 10 kampionëve të botës në luftën ndaj korrupsionit.
“Altin Dumani, nga Shqipëria, drejton një agjenci të re (SPAK), e cila u ngrit pak vite më parë dhe që ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe një nga njerëzit më të besueshëm dhe institucion me të besueshme në Shqipëri”, tha Blinken.
/Argumentum.al